Ish-ministri i Drejtësisë i Kosovës, Hajredin Kuçi, dhe ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, janë deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat përballen, në paraqitjet e tyre të para, të ndara, para Gjykatës Speciale të hënën.
Kuçi përballet me dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës, ndërsa Kilaj akuzohet për ndikim mbi dëshmitarët.
Pala mbrojtëse ka thënë se nuk do të tentojë të bindë gjykatësen pse ka gabuar që ka kërkuar arrestimin e Kilajt, por ka shtuar se Kilaj ka treguar se është kandidat i mirë për lirim me kusht.
Pjesë e aktakuzës janë edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, dhe Fadil Fazliu.
Thaçi dhe Smakaj nuk janë deklaruar një ditë më parë për akuzat që rëndojnë ndaj tyre, ndërsa Fazliu dhe Kuçi janë deklaruar të pafajshëm.
Të akuzuarit pranë Dhomave të Specializuara kanë afat që brenda 30 ditësh të deklarohen rreth akuzave.
Gjykata Speciale është institucion që funksionon sipas ligjeve të Kosovës, por selinë e ka në Hagë të Holandës.
Kilaj, Smakaj dhe Fazliu janë arrestuar më 5 dhjetor, dhe një ditë më vonë janë dërguar në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Ndaj Kuçit është lëshuar fletëthirrje për t’u paraqitur para Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë.
Në aktakuzën e re, Thaçi ngarkohet me tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi; katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Fazliu, Smakaj dhe Kilaj akuzohen për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, dhe për mosbindje ndaj gjykatës.
Kuçi përballet me dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Kuçi e konsideron aktakuzën si “prekje të dinjitetit”
Ish-zëvendëskryeministri dhe ish-ministri i Drejtësisë i Kosovës, Hajredin Kuçi, është deklaruar i pafajshëm në paraqitjen e tij të parë të bërë më herët gjatë ditës.
“Jam plotësisht i pafajshëm. Sot është një prej momenteve të errëta për mua si njeri i drejtësisë, që e ka profesion dhe mision tërë jetën, dhe jam identifikuar me drejtësi”, ka thënë Kuçi në fjalën e tij para gjykatës, duke shtuar se aktakuzën e konsideron si “prekje të dinjitetit”.
“Drejtësinë si profesion dhe mision do ta vazhdoj edhe nga sot, edhe në një pozitë tjetër, por prapë në funksion të saj dhe të vlerave që jam identifikuar. Më vjen keq për shqetësimet që ua ka bërë kjo akuzë anëtarëve të familjes sime”, ka thënë mes tjerash Kuçi.
“Unë nuk kam bërë asnjë vepër penale. Unë jam i pafajshëm dhe kam besim të plotë se do të lirohem nga akuzat. Në aktakuzë jam me presidentin, Hashim Thaçi. Më lejoni të them se Hashimin e kam mik, njihemi që vite të gjata dhe kemi punuar gjatë. Kemi punuar dhe udhëhequr mbi parimin e drejtësisë, respektimit të saj dhe kemi besuar në drejtësi”.
Prokuroria ka thënë se me vonë gjatë ditës do të bëjë kërkesë që Kuçit t’i ndalohet komunikimi me personat që janë pjesë e aktakuzës, dhe persona tjerë që dyshohen se kanë lidhje me rastin.
Gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot, ka thënë se do të marrë vendim pas parashtrimit të kërkesës.
Hollësi tjera të aktakuzës
Në versionin e redaktuar të aktakuzës prej 15 faqesh, thuhet se Thaçi është takuar me katër të akuzuarit e tjerë në qendrën e paraburgimit në Hagë, dhe aty pretendohet se ai u ka dhënë udhëzime se si të dëshmojnë dëshmitarët në rastin kundër tij.
Aktualisht në Hagë është duke u zhvilluar gjykimi ndaj Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Thaçi akuzohet se bashkërendoi “tri grupe të veçanta” së bashku me Smakajn, Kilajn, Kuçin dhe Fazliun për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të Prokurorisë në rastin kundër tij dhe të tjerëve për krime lufte.
Aktakuza pretendon se veprat penale kundër administrimit të drejtësisë janë kryer nga 12 prilli 2023 deri më 2 nëntor po atij viti, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit në Hagë mes Thaçit dhe personave të tjerë të akuzuar.
Dhomat e Specializuara të Kosovës deri më tani kanë shpallur dy aktgjykime për pengim në administrim të drejtësisë.
Dy ish-figura të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, janë dënuar për pengimin e drejtësisë deri tani.
Ndërkohë, Specialja ka shqiptuar edhe dy aktgjykime për krime lufte.
Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar - që njihen edhe si Gjykata Speciale - hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Droja nga frikësimi i dëshmitarëve ishte një prej arsyeve pse kjo gjykatë e Kosovës ndodhet në Hagë dhe jo në Prishtinë, “marrë parasysh se bëhet fjalë për çështje të ndjeshme dhe për faktin se disa nga të dyshuarit në pjesë të caktuara të shoqërisë kosovare mund të konsiderohen si luftëtarë të lirisë”, thuhej në komunikatën e Qeverisë së Holandës, të lëshuar qysh në vitin 2016, kur ishte vendosur për këtë gjykatë.