Ndërlidhjet

Guvernatori i BQK-së: Rregullorja e re s’e kufizon këmbimin e çfarëdo valute


Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, në takim me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, Prishtinë, 29 janar 2024.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, në takim me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, Prishtinë, 29 janar 2024.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka thënë të hënën se rregullorja e re e BQK-së nuk e ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në valutën euro në bankat e licencuara, dhe se as nuk e kufizon këmbimin e cilësdo valutë që kryhen nga institucionet financiare bankare, ose jo-bankare të licencuara nga ajo.

“Pra, të gjithë qytetarët që tashmë kanë një llogari bankare në euro, në cilëndo bankë të licencuar në Kosovë, mund ta përdorin të njëjtën për të pranuar mjetet nga çdo shtet”, tha ai.

BQK-ja njoftoi se Ismaili i bëri këto komente gjatë një takimi me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeff Hovenier.

Rregullorja e re e BQK-së, e lëshuar javë më parë, kërkon që të gjitha transaksionet me para të gatshme kudo në Kosovë të bëhen me euro nisur nga 1 shkurti, duke i dhënë fund përdorimit të dinarit serb në vend.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, i ka kërkuar guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, që të shtyjë zbatimin e vendimit për përdorimin vetëm të valutës euro sa i përket operacioneve me para të gatshme.

"Ne bëjmë thirrje që zbatimi i kësaj rregulloreje të shtyhet, në mënyrë që të japë kohë për tranzicion më efektiv dhe komunikim me publikun që të zbutet ndikimi negativ te qytetarët”, shkroi Hovenier në X, që më herët njihej si Twitter.

Ismaili theksoi se vetëm në katër komunat veriore, të banuara me shumicë serbe, operojnë katër degë bankare, tri institucione mikro-financiare (kredidhënëse) si dhe mbi 15 institucione financiare jo-bankare për pagesa dhe këmbimore.

“Numri i degëve dhe zyrave të institucioneve financiare që operojnë në atë zonë është në rritje, pasi përfshirja financiare është objektiv i BQK-së”, thuhet në njoftim.

Në Kosovë, në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe, popullsia përdor dinarin serb për të kryer pagesa dhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, i marrin edhe pagat me dinarë.

Me dinarë paguhen edhe pensionet, sipas sistemit serb, si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.

Në objektet tregtare, në zonat ku banojnë serbët në Kosovë, përveç euros, përdoret edhe dinari.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Serbisë – ka thënë se vendimi i BQK-së rrezikon mbijetesën e serbëve në Kosovë.

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kërkuar të hënën anulimin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ndalimin e përdorimit të dinarit serb për pagesa me para të gatshme në Kosovë.

Kërkesa e tij erdhi gjatë një takimi me të dërguarin e posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në Beograd.

Takimi mes ambasadorit Hovenier dhe guvernatorit Ismaili erdhi një ditë pasi shtetet e QUINT-it – SHBA-ja, Britania, Gjermani, Italia dhe Franca – bënë kërkesën e njëjtë për shtyrjen e zbatimit të vendimit për rregulloren për operacione me para të gatshme.

Edhe Bashkimi Evropian i ka kërkuar të hënën Kosovës që të shtyjë afatin për zbatimin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, që parasheh që vetëm valuta euro të përdoret në operacionet me para të gatshme.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se këtë çështje palët duhet ta zgjidhin në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Brukseli.

Nga Qeveria e Kosovës kanë argumentuar se vendimi i BQK-së është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por QUINT-i ka thënë se ky vendim “ngre shqetësime në lidhje me ndikimin në veçanti në komunitetet me shumicë serbe”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG