Ndërlidhjet

Guterres: “Të paimagjinueshme” dëmet e shkaktuara nga vërshimet në Pakistan


Shefi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres gjatë vizitës me banorë të Pakistanit.
Shefi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres gjatë vizitës me banorë të Pakistanit.

Shefi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka vizituar të shtunën rajonet e goditura nga vërshimet në Pakistan.

Si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm të javëve më parë, dhjetëra mijëra persona janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

“E paimagjinueshme”, ka thënë Guterres pasi ka parë nga lart situatën në provincat Baloçistan dhe Sind, nën shoqërinë e kryeministrit të Pakistanit, Shehbaz Sharif .

Shefi i OKB-së i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndajë ndihma të mëdha financiare për këtë shtet.

Guterres ka thënë se Pakistani është një prej 15 pikave që rrezikohen më shumë nga ndryshimet klimatike, andaj i ka bërë thirrje botës që të ofrojë “mbështetje masive”, ashtu që shteti t’i shmanget ndonjë katastrofe tjetër.

Sipas tij, ajo që po bën OKB-ja për Pakistanin “është vetëm pikë në oqean, në krahasim me atë që duhet të bëhet”.

Guterres do të qëndrojë për dy ditë në Pakistan, me qëllim të ndërgjegjësimit të komunitetit ndërkombëtar për situatën pas vërshimeve.

Si pasojë e shirave kanë vdekur 1.396 njerëz, një e treta e të cilëve kanë qenë fëmijë.

Valët e të nxehtit dhe stuhitë janë bërë më intensive dhe më të shpeshta në vitet e fundit, për shkak të ndryshimeve klimatike të nxitura nga njeriu.

Bota tashmë është ngrohur për 1.1 gradë Celsius prej nisjes së epokës industriale, dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten, në rast se qeveritë në botë nuk marrin hapa për të ndalur emetimet e karbonit dhe gazrave tjerë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG