Ndërlidhjet

Grupe të reja ekstremiste shfaqen në skenën militante të Pakistanit


Pakistanezët shikojnë tymin që del pas një sulmi vetëvrasës, që dyshohet se u kry nga militantët në Banu më 15 korrik 2024.
Pakistanezët shikojnë tymin që del pas një sulmi vetëvrasës, që dyshohet se u kry nga militantët në Banu më 15 korrik 2024.

Sulmues vetëvrasës dhe sulmues të armatosur hynë në një bazë ushtarake në veriperëndim të Pakistanit javën e kaluar, duke vrarë tetë ushtarë.

Ky ishte një nga një seri sulmesh vdekjeprurëse që kanë goditur shtetin e Azisë Jugore, ku dhuna militante është rritur në vitet e fundit.

Por, ajo çfarë është e rëndësishme lidhur me sulmin e 15 korrikut në qytetin Banu është grupi që mori përgjegjësinë për të, Jaish Fursan-e Muhammad (JFM), grup i panjohur deri më tani.

JFM-ja është në mesin e disa grupeve të reja militante që kanë njoftuar muajve të fundit për futjen e tyre në skenën, veçse të mbushur, militante në Pakistan.

Por, ekspertët besojnë se aktorët e rinj janë në fakt mbulesa të grupeve ekzistuese, përfshirë të Tehrik-e Taliban Pakistan (TTP) – organizata më vdekjeprurëse militante që lufton kundër Islamabadit.

JFM-ja besohet se është një mbulesë e Hafiz Gul Bahadar (HGB), një grup i veçantë ekstremist. Grupi mban emrin e liderit të tij, i cili është ish-komandant i TTP-së.

Tehrik-e Jihad Pakistan (TJP), një tjetër grup militant që njoftoi për pranin ë e tij vitin e kaluar, sipas ekspertëve vlerësohet se është mbulesë e TTP-së. Ky grup shënoi hyrjen e tij në skenën e grupeve militante me një sulm spektakolar ndaj një baze kyçe ajrore në provincën lindore të Punxhabit në nëntor.

Ekspertët thanë se mbulesat u mundësojnë TTP-së dhe HGB-së – grupe që vazhdimisht janë nën presion ushtarak nga Islamabadi – të mbajnë një qëndrim të besueshëm mohues.

“Të gjitha këto grupe janë ose pjesë e TTP-së, ose e Hafiz Gul Bahadarit”, tha Mansur Mehsud, drejtor i Qendrës Kërkimore FATA – organizatë jofitimprurëse me bazë në Islamabad.

“Kjo është pjesë e strategjisë së TTP-së dhe HGB-së që të krijojnë konfuzion”, shtoi ai.

“Përdorimi i emrave të ndryshëm”

TTP-ja dhe HGB-ja besohet se kanë bazat në Afganistan, ku talibanët afganë morën pushtetin më 2021.

Ekspertët thanë se marrja e pushtetit nga talibanët ka trimëruar dhe forcuar militantët pakistanezë. Tërheqja e trupave ndërkombëtare nga Afganistani ka ulur në mënyrë të ndjeshme sulmet ajrore amerikane në rajon, duke u lejuar militantëve që të operojnë më lirshëm. Luftëtarët e TTP-së dhe HGB-së po ashtu kanë në posedim armë të sofistikuara, përfshirë armë të prodhimit amerikanë, të cilat u lanë pas nga forcat ndërkombëtare.

Pakistani ka akuzuar talibanët afganë se po strehojnë TTP-në, grup me të cilin talibanët kanë lidhje të ngushta ideologjike dhe organizative.

Viteve të fundit, Pakistani ka përdorur taktika presioni, thanë vëzhguesit, për të detyruar talibanët afganë për të shkëputur raportet me TTP-në, përfshirë dëbimin e qindra mijërave refugjatëve afganë nga Pakistani, mbylljen e pikave kyçe kufitare dhe bllokimin e kalimit transit të mallrave afgane.

Islamabadi ka kryer edhe sulme vdekjeprurëse ndërkufitare, duke shënjestruar pozicionet e supozuara të TTP-së në lindje të Afganistanit.

Talibanët afganë kanë tentuar që të qetësojnë Pakistanin duke zhvendosur luftëtarët e TTP-së larg nga kufiri me Pakistanin në zonat tjera të Afganistanit. Ata po ashtu kanë ndërmjetësuar bisedimet e paqes mes militantëve pakistanezë dhe Islamabadit, proces që ka dështuar. Por, militantët afganë kanë refuzuar që të dëbojnë TTP-në nga Afganistani.

Çdo sulm i madh i TTP-së brenda Pakistanit është pasuar me dënime nga Islamabadi dhe thirrje në biseda të ambasadorit të talibanëve afganë, për të shprehur pakënaqësi.

“Talibanët [pakistanezë] janë të fuqishëm, por po ashtu janë nën presion”, tha Muhammad Amir Rana, analist politik dhe i sigurisë me bazë në Islamabad. “Por, ata përdorin emra të ndryshëm si pjesë e strategjisë së tyre, por edhe për të shmangur presionin”.

Mehsud nga Qendra Kërkimore FATA tha se “TTP-ja nganjëherë qëllimisht shmang sulmet në shkallë të gjerë vetëm për të shmangur presionin” nga talibanët afganë, të cilët, sipas tij, kanë tentuar të bindin Pakistanin që të frenojë sulmet e tij.

“Situata e sigurisë është shumë e keqe”

TTP-ja dhe HGB-ja, si dhe degët e tyre, kanë përqendruar shumicën e sulmeve në Kiber Paktunkva, provincë që gjendet në kufi me Afganistanin dhe që prej kohësh është vatër militantësh.

Disa grupe të tjera militante, që kanë marrë më pak vëmendje mediatike, po ashtu së fundi janë shfaqur në rajon. Këtu përfshihet edhe Lashkar-e Khorasan, grup militant që besohet se është mbulesë për TTP-në. Grupi tjetër është grupi Shaheen, që konsiderohet mbulesë për HGB-në. Që të dy këto grupe, muajve të fundit kanë marrë përgjegjësinë për sulmet në Kiber Paktunkva.

Më herët gjatë këtij viti, Pakistani tha se ushtria do të nisë një ofensivë të re për të çrrënjosur militantët nga pjesa veriperëndimore e shtetit. Por, zyrtarët nuk dhanë më shumë detaje.


Operacioni i planifikuar ushtarak është kundërshtuar fuqishëm nga banorët lokalë në Kiber Paktunkva, rajon që në të kaluarën ka qenë skenë e disa ofensivave që kanë vrarë mijëra dhe kanë detyruar zhvendosjen e miliona civilëve.

Më 19 korrik, mijëra persona protestuan në Banu duke kërkuar që t’u jepet fund operacioneve ushtarake në rajon. Protesta u bë e dhunshme dhe forcat e sigurisë hapën zjarr ndaj protestuesve, duke vrarë një person. Që atëherë, mijëra persona kanë marrë pjesë në protesta paqësore në Banu.

Rana, analisti me bazë në Islamabad, tha se Pakistani nuk ka para vetes zgjedhje të mira në luftën e tij për të ulur numrin e sulmeve militante në shtet.

Nëse nis një fushatë vdekjeprurëse ushtarake do të shkaktojë zemërim në mesin e publikut. Nëse shënjestron bastionet e pretenduara të TTP-së brenda Afganistanit, mund të përshkallëzojë edhe më shumë raportet me talibanët afganë, tha ai.

“Situata e sigurisë është shumë e keqe”, tha Rama.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG