Ndërlidhjet

Intelegjenca e Bosnjes ngre alarmin për praninë e pjesëtarëve të Wagner dhe Ujqve të Natës


Një pankartë e vendosur në Krasnodar.
Një pankartë e vendosur në Krasnodar.

Të dhënat e inteligjencës boshnjake tregojnë se anëtarët e grupit mercenar rus ‘Wagner’, ‘Pjesëtarë të Lëvizjes Çetnike’ dhe anëtarët e klubit rus të motoçikletave ‘Ujqit e Natës’ do të marrin pjesë në festimin e Ditës së Republikës Sërpska të Bosnje e Hercegovinës më 9 janar.

Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë ministri i Sigurisë së Bosnje e Hercegovinës, Selmo Cikotiq, duke theksuar se bëhet fjalë për të dhëna nga strukturat e inteligjencës dhe sigurisë.

“Këto janë grupe pak a shumë ekstreme dhe radikale, të cilat janë prezent në këtë zonë prej kohësh dhe presim që të jenë aty më 9 janar. Me sa di unë, asnjëri prej tyre nuk e ka bërë të ditur këtë zyrtarisht”, ka thënë Cikotiq.

Në Republikën Sërpska, një entitet në Bosnje dhe Hercegovinë, 9 janari festohet si Dita e Republikës Sërpska edhe pse Gjykata Kushtetuese e Bosnje dhe Hercegovinës e ka shpallur atë datë jokushtetuese në dy raste.

Festimi qendror me një paradë formale do të mbahet në lindje të Sarajevës, ndryshe nga vitet e kaluara kur 9 janari u festua në Banjallukë.

Të premten, më 6 janar, Cikotiq i dërgoi një letër komandantit të EUFOR-it në Bosnje e Hercegovinë, Anton Wessely, në të cilën ai paralajmëron kërcënimet e sigurisë në lidhje me përkujtimin e 9 janarit në zonën e Sarajevës.

Në letër, ai deklaroi se informacioni i disponueshëm nga strukturat e inteligjencës dhe sigurisë tregonte "prani të mundshme të disa grupeve radikale dhe ekstremiste nga entiteti i Republikës Sërpska, Serbisë dhe Rusisë".

Ai ka kujtuar edhe reagimet e shoqatave të veteranëve në kantonin e Sarajevës, të cilët e konsiderojnë këtë ngjarje të papranueshme, duke qenë se festimi i kësaj date është shpallur jokushtetues.

Cikotiq tha se ai pret që "EUFOR të marrë masa për të siguruar funksionimin ligjor dhe kushtetues të të gjitha institucioneve, si dhe paqen dhe sigurinë në Bosnje Hercegovinë", thuhet në deklaratë.

"Kam paralajmëruar për praninë e tyre sepse besoj se është më mirë të parandalohet, e ndoshta të mos u lëmë disa organizatave qytetare që të vendosin rendin. EUFOR-i ka rritur monitorimin e situatës në atë zonë", theksoi ai.

Autoritetet e Republikës Sërpska festojnë 9 janarin, datën kur në Sarajevë në vitin 1992 Kuvendi i atëhershëm i Popullit Serb, miratoi Deklaratën për Shpalljen e Republikës së Popullit Serb të Bosnje e Hercegovinës si entitet i pavarur brenda Bosnjë-Hercegovinës.

Qëllimi ishte që ajo pjesë e Bosnjë-Hercegovinës t'i aneksohej Jugosllavisë, e cila në atë kohë po shpërbëhej.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG