Ndërlidhjet

S’ka marrëveshje me minatorët e "Trepçës", vazhdon greva


Minatorët e Trepçës
Minatorët e Trepçës

Qeveria e Kosovës nuk ka arritur marrëveshje me minatorët e kombinatit metalurgjik “Trepça”, për plotësimin e kërkesave të tyre dhe ndërprerjen e grevës.

Ka pesë ditë që minatorët e këtij kombinati kanë hyrë në grevë të përgjithshme, duke kërkuar rritjen e pagave për 20 për qind, shkarkimin e Bordit të këtij kombinati, ndalimin e punësimit të stafit pa konkurs dhe krijimin e kushteve më të mira për punë. Punëtorët, po ashtu po kërkojnë që sa më shpjet të miratohet statuti i “Trepçës”, ashtu siç parashihet më Ligjin për Trepçën.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Valdrin Lluka ka zhvilluar një takim të mërkurën me minatorët dhe u ka kërkuar që të ndërpresin grevën, duke ua bërë me dije se nuk mund të ketë rritje të pagave, meqë ajo ka qenë një nga kërkesat kryesore që minatorët kanë parashtruar.

Ministri Lluka ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se këto kërkesa nuk mund të realizohen. Sipas tij, rritja e pagave për 20 për qind aktualisht është e pamundur për shkak të gjendjes së rëndë financiare në këtë kombinat. Kurse sa i përket kërkesës për shkarkimin e Bordit, Lluka ka thënë se për këtë çështje vendos Qeveria.

“I njoftova punëtorët që ne gjendjen financiare në të cilën është 'Trepça', është e pamundur rritja e pagave. Sidomos kur flasim për të gjithë punëtorët, jemi duke folur për një impakt financiar prej 2.5 milionë euro në vit. Në anën tjetër, Qeveria ende subvencionon 'Trepçën' me rreth 4 milionë euro në vit. Pra, nuk ka kuptim që të rritet subvencioni për të rritur pagat. Paga mesatare e një minatori është rreth 770 euro dhe kjo e bën të vështirë rritjen edhe për 20 për qind”, ka thënë Lluka.

Megjithatë, ministri Lluka nuk e ka mohuar mundësinë e rritjes së pagave në një periudhë më të gjatë kohore kur kjo ndërmarrje të ketë kapacitete më të lartë të prodhimit.

“Është më rëndësi që 'Trepça' së pari të zhvillohet, të rrisë qarkullimin, të ketë rritje të hyrave nga brenda dhe pastaj është çështje e menaxhmentit dhe rritja e pagave mund të bëhet. Është praktikë që ka ndodhur edhe më herët. Mirëpo, jo rritja e pagave të bëhet përmes subvencionimit nga Qeveria. Unë kërkova të presin edhe disa muaj, ndoshta të kalohet edhe viti 2019, derisa me 'Trepçën' e re, si shoqëri aksionare të kemi një plan më të mirë zhvillimor dhe në këtë formë me rritjen e produktivitet mund të rriten edhe pagat. Sidomos për minatorët që punojnë në thellësi dhe jo për punëtorët në administratë”, ka thënë ministri Lluka për Radion Evropa e Lirë.

Mosarritja e marrëveshjes ka rezultuar me vazhdim të grevës nga ana e minatorëve.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të “Trepçës”, Shyqyri Sadiku, njëherësh anëtar i Bordit mbikëqyrës të “Trepçës”, tha për Radion Evropa e Lirë, se pa realizimin e dy kërkesave, rritjen e pagave dhe shkarkimin e Bordit mbikëqyrës dhe menaxhues, nuk do ketë ndërprerje te grevës.

Sipas tij, të enjten këshilli grevist do të vendosë se a të ndryshojë forma e grevës.

“Nuk kemi arritur që të pajtohemi më dy pika. Greva do të vazhdojë tash e tutje. Vendimet tjera do t’i merr këshilli grevist”, tha ai.

Kurse sa i përket kërkesës për zgjidhjen e statutit të kombinatit “Trepça”, ministri Lluka ka premtuar se gjatë këtij muaji, do të miratohet statuti i “Trepçës” në Kuvendin e Kosovës, që i hap rrugë regjistrimit të "Trepçës" si shoqëri aksionare.

Kjo procedurë parashihet në Ligjin për Trepçën, i cili është miratuar dy vjet më parë në Kuvendin e Kosovës, por që ende nuk ka filluar të zbatohet në tërësi.

Në bazë të këtij ligji, pronësia e kompleksit u bart nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) te Qeveria e Kosovës, si aksionare kryesore me 80 për qind, kurse 20 për qind janë aksione të punonjësve të "Trepçës".

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG