“Në momentin që guxova të dal nga zona e komforit, suksesi ishte i pashmangshëm, pavarësisht se biznesin tim e kam hapur gjatë pandemisë”, thotë Valdete Feta, e cila ka marrë çmimin për udhëheqjen e biznesit më të suksesshëm për vitin 2023 nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore në mesin e 100 kompanive të mira.
Valdete Feta është me profesion farmaciste, dhe për disa vite ka punuar si profesoreshë në shkollën e mesme të mjekësisë në Shkup. Gjatë pandemisë, siç thotë ajo, ka vërejtur se jeta jo e shëndetshme paraqet rrezik për çdo moshë dhe pikërisht në këtë kohë kur bizneset luftonin për të mbijetuar, ajo hapi kompaninë për dobësim dhe trajtim të obezitetit (Kenda Center).
“Dëshira e madhe e imja është që ta hap një spital timin privat. Megjithatë, biznesin që e menaxhoj është mes asaj humanes dhe estetikës dhe njëkohësisht është biznes që unë si femër jo vetëm që arrij të mbijetoj, por mund të zgjeroj veprimtaritë”, thekson Valdete Feta, e cila sapo ka shkelur të tridhjetat.
Menaxhimi i bizneseve, pavarësisht se cilit profil i takon, sipas saj, për fat të keq në Maqedoninë e Veriut ende konsiderohet punë për burra:
“Duke qenë të vetëdijshëm se kemi shumë lloje të rreziqeve në të bërit biznes, unë duke i marrë të gjitha ato rreziqe, kam qenë këmbëngulëse dhe e bindur se mund të ballafaqohem me to”.
Në sallonin për trajtimin e mbipeshës që drejton Valdeta Feta, pavarësisht se ofrohen shërbime si për gra e vajza ashtu edhe për meshkuj, që të gjithë të punësuarit në kompaninë e saj janë femra.
“Modelimi i trupit kërkon shumë durim, guxim, vullnet të çeliktë dhe mbi të gjitha suptilitet (ndjeshmëri) dhe këto karakteristika i kanë më të theksuara gratë”, thotë ajo.
Valdete Feta është nënë vetushqyese e një djali të vogël. Kjo, thotë Feta, nuk e bën të dobët por përkundrazi edhe më të fortë dhe i jep edhe më shumë motiv për të sfiduar veten në biznes, duke shtuar se së shpejti do të prezantojë dhe biznesin e dytë të saj duke mos dashur të zbulojë më shumë.
Ndryshe, në qytetin e Shkupit si bartëse të pronës janë rreth 30 për qind e grave, ndërsa në qytetet e tjera kjo përqindje është nën 20 për qind.
Lexoni edhe: Shtatë motrat që ushqimet tradicionale i bënë brend