Ndërlidhjet

Gratë kritikojnë dialogun e udhëhequr nga burrat


Fotografi nga një takim në Bruksel ndërmjet Ekipit negociator të Kosovës dhe shefes së BE-së, Federica Mogherini.
Fotografi nga një takim në Bruksel ndërmjet Ekipit negociator të Kosovës dhe shefes së BE-së, Federica Mogherini.

Në Ekipin negociator i cili përfaqëson Kosovën në procesin e dialogun me Serbinë, aktualisht nuk bën pjesë asnjë grua. Ekipi i udhëhequr nga zëvendëskryeministri Fatmir Limaj dhe kryetari i Partisë Socialdemokrate, njëherësh dhe kryetar i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka një përbërje prej 100 për qind të burrave. Në kohën kur ky proces i dialogut vazhdon të jetë i ngrirë, si pasojë e vendosjes së taksës nga ana e Qeverisë së Kosovës për importet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, gratë deputete, janë bërë bashkë për të diskutuar pikërisht për këtë proces.

Në debatin e organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA), me titull “Gratë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, u vlerësua se ky dialog është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se nuk është e rëndësishme ndarja me gra apo burra në procesin e dialogut me Serbinë, por e rëndësishme, sipas saj, është që marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, të respektohen.

“Duke e ditur se si ka filluar ky dialog, më lejoni se si observim fillestar të them dialogu ka dalë komplet nga rruga, ka dalë komplet nga binarët dhe është në kundërshtim me qëllimin për të cilin ka filluar”, tha deputetja Osmani.

Kurse deputetja e partisë në pushtet, Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, tha se përkundër që Serbia ka bërë fushatë të egër ndaj Kosovës, dialogu duhet të vazhdojë.

“Dialogu Kosovë-Serbi, natyrisht që është njëra prej temave më sfiduese. Mendoj shumë që është interes i shtetit të Kosovës që të tregojë gatishmëri që ta përfundojë sa më herët marrëveshjen përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Deliu-Kodra.

Mirëpo, Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, mendon se Kosova është dëmtuar nga procesi i dialogut pa kushte, e dëmin kryesor sipas saj, Kosovës ia ka bërë presidenti i tanishëm, Hashim Thaçi.

“Ne si Lëvizje Vetëvendosje e kundërshtojmë fuqishëm këtë projekt të rrezikshëm për shkëmbim territorial, por edhe duke pasur parasysh dëmet që Hashim Thaçi i ka sjellë procesit të dialogut me Serbinë, ne konsiderojmë ky nuk duhet të jetë fare as pjesë e dialogut, e lërë më të kryesojë këtë proces të dialogut”, tha deputetja Haxhiu.

Mungesa e konsensusit për dialog edhe te faktori ndërkombëtar, sipas deputetes së Partisë Socialdemokrate, Aida Dërguti, është shumë shqetësuese.

“Ky problem merr edhe një dimension tjetër pak më të rëndë, sepse për herë të parë kemi edhe faktorin ndërkombëtar, i cili përgjatë gjithë historisë së këtij vendi ka pasur konsensus për tema të mëdha, është hera e parë që ata mes veti nuk kanë konsensus dhe kjo besoj që ka një ndikim të jashtëzakonshëm në polarizimin e mëtejmë të pozicioneve karshi dialogut”, tha deputetja Dërguti.

Në mesin e deputeteve të Kuvendit të Kosovës, ishte edhe ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Per Strand Sjaastad. Ai tha se për Kosovën, vazhdimi i dialogut me Serbinë, është çështje jetike për të ardhmen.

“Dialogu i normalizimit i mbështetur nga Bashkimi Evropian, është çelësi i raporteve të mira ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mund të konkludoj se sa i përket dialogut është shumë më rëndësi dhe i jep formën shtetit tuaj, do të hap dyert, të cilat tani janë të mbyllura. Viti 2019 shihet si një mundësi që të arrihet një zgjidhje e mundshme”, tha ambasadori norvegjez.

Përqindja shumë e vogël e përfaqësimit të grave në vendimmarrje, në vazhdimësi është kritikuar nga organizata të grave në Kosovë.

Në bazë të ligjeve, gratë gëzojnë të drejta të barabarta me burrat sikurse edhe në vendet tjera të Bashkimit Evropian. Megjithatë, përfaqësimi i gruas në institucionet e Kosovë e posaçërisht vendimmarrje, vlerësohet se nuk është në nivelin e duhur.

Edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Philip Kosnett, kishte thënë se mungesa e grave në udhëheqësinë e partive politike, po e kthen prapa Kosovën.

"Si mundet që një parti/shtet të ketë sukses pa kapitalizuar talentet e grave? Duhet që partitë të përfshijnë më shumë gra në role udhëheqëse. Kosova do të ketë sukses kur gratë do të udhëheqin”, kishte deklaruar Kosnett.

Përkundër këtyre thirrjeve që gratë të jenë pjesë e vendimmarrjes, delegacioni i Kosovës në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në vazhdimësi ka pasur përbërje 100 për qind të burrave.

Ndërkaq, vendosja e taksës doganore 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, bëri që procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të mos vazhdojë.

Shumë shtete të Bashkimit Evropian dhe gjithashtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të pezullojë vendimin për taksën ndaj prodhimeve të Serbisë, në mënyrë që t’i hapet rruga vazhdimit të dialogut.

Mirëpo, deri më tash, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nuk e ka pezulluar vendimin për këtë taksë, duke thënë se vendimi do të hiqet kur Serbia të njohë shtetin e Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG