Ndërlidhjet

Një grua në krye të një kompanie në sektorin e ndërtimtarisë


Mirlinda Nuredini, gjatë ndarjes së çmimit si afariste e suksesshme nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore.
Mirlinda Nuredini, gjatë ndarjes së çmimit si afariste e suksesshme nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore.


“Babai gjithmonë na inkurajonte, edhe mua edhe motrave që të jemi të pavarura, shumë më shumë se vëllezërit. Pra, ai na ka përgatitur të mos jemi indiferente në botën e burrave, pikërisht këtu dhe buron suksesi që kam arritur në sektorin e biznesit që llogaritet një terren i burrave”.

Kështu thotë për Radion Evrpa e Lirë, Mirlinda Nuredini, afariste, e cila nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore ka marrë çmimin për biznesin më të suksesshëm të udhëhequr nga një grua.

Mirlinda Nuredini tashmë për pesë vjet është drejtoreshë e kompanisë sllovene M-SORA, kompani kjo e cila i furnizon me materiale-aksesorë kompanitë që prodhojnë dyer dhe dritare.

Para 15 vjetësh ajo ka drejtuar po të njëjtën kompani edhe në Kosovë dhe thotë se një grua të shfaqet në sektorin e biznesit, përkatësisht ndërtimtarisë, ka qenë shumë e panatyrshme për rrethin.

Shpërblimi nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore për Mirlinda Nuredinin.
Shpërblimi nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore për Mirlinda Nuredinin.


Por, Mirlinda shton se sfidat më të mëdha i ka hasur në Maqedoninë e Veriut, ku për shkak të mentalitetit, burrat jo rrallë i kanë kërkuar që të bashkëpunojnë me një burrë ose të mos bashkëpunojnë fare.

“Nuk e kam pritur që në Maqedoninë e Veriut do të ishte kaq e vështirë. Klientët e kanë problem shumë të madh për të më perceptuar (pranuar) si drejtuese kompanie në këtë lëmi, edhe përkundër faktit se e njoh shumë mirë punën - përkundër asaj që kam aftësi të komunikimit dhe njoh mirë të gjitha produktet - po edhe në aspektin teknik pasi të arrij në vendin e ngjarjes arrij ta rregulloj”.

“Kjo për botën e burrave ka qenë shumë e pakapshme në Maqedoninë e Veriut, e kam pasur shumë më të vështirë se në Kosovë, pasi kam pasur shumë raste këtu (Maqedoninë e Veriut, që ma kanë bllokuar punën duke më thënë kjo s’është punë për ty. Mirëpo, kjo më ka bërë edhe më të fortë. Ka shumë raste ku klientët më thoshin thirre shefin, ua ktheja me të qeshur, unë jam shefi këtu”, tregon ajo.

Paragjykimet, thotë se e kanë e kanë bërë edhe më të fortë pasi në momentin që në fabrikë arrin t’i zgjidhë problemet që s’i kanë zgjidhur dot burrat, ka ndryshuar dhe perceptimi ndaj saj si drejtuese e kompanisë.

Nuredini thotë se me gjithë trysnisë se sektori i ndërtimit është terren i burrave, në kompaninë e saj 50 për qind janë gra, të cilat siç thekson ajo, me shumë përgjegjësi arrijnë t’i kryejnë obligimet e marra.

“Kam filluar në kompani vetëm unë si femër dhe secila që ka ardhur i kam thënë ‘Ti mundesh’. Kur kam mundur unë të vij këtu nga Mitrovica t’i lë fëmijët, mundesh edhe ti pasi e ke më lehtë, meqë je këtu”, thotë Mirlinda.

Çmimi që ka marrë nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, me rastin e shpalljes së 100 kompanive më të suksesshme në vend, si menaxherja dhe drejtuesja e një biznesi të suksesshëm, për Mirlindën është shumë domethënës, siç thotë jo vetëm për evoluimin e punës që ka bërë, por ky çmim paraqet një rrugë të trasuar edhe për gratë e tjera që të mos hezitojnë të futen në botën e biznesit.

Mirlinda Nuredini
Mirlinda Nuredini

“Unë jam një person që tërë jetën kam punuar prapa skene, nuk jam e zonja që të ekspozohem. Puna ime ka qenë dhe mbetet të merrem me shifrat. Por, më duhet të pranoja se më ka ardhur shumë mirë që dikush e ka përcjellë punën time, si Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore. Këtë çmim nuk e kam pritur. Se do t’më shpërblejë dikush për punën që e bëj, normalisht kjo për mua paraqet nder të madh”, shprehet Mirlinda.

Për t’i inkurajuar gratë që të drejtojnë biznese, Ministria e Ekonomisë për 11 vjet është duke realizuar masën - mbështetje financiare vetëm për ato kompani që janë në pronësi dhe të udhëhequra nga gratë.

Gjatë vitit 2021, Maqedonia e Veriut përmes Ministrisë së Ekonomisë ka ndarë 663 mijë euro në formë të subvencioneve për kompanitë e vogla, të cilat drejtohen nga gratë ose janë në pronësi të grave.

Por, numri i grave sipërmarrëse është shumë i vogël.

Në bazë të të dhënave zyrtare në Maqedoninë e Veriut, më pak se 20 për qind të pozitave udhëheqëse në sektorin privat u takojnë grave.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG