Ndërlidhjet

Gratë e Ballkanit paralajmërojnë 'revolucion'


Gratë afariste të Ballkanit 'shembin kufijtë'
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:50 0:00

Gratë afariste të Ballkanit 'shembin kufijtë'

Sanija, Jasmina, Reisa, Edita, Elma dhe Daniela kanë paralajmëruar revolucion të madh në Ballkan, me qëllimin që të forcojnë pozitën dhe rolin e gruas në shoqëri.

Të gjitha këto gra afariste nga Kosova, Serbia, Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia, janë bashkuar në kuadër të organizatës së re rajonale për forcimin e rolit të grave “I love Balkan” (E dua Ballkanin), organizatë kjo që u themelua të premten në Prishtinë, ku edhe do ta ketë selinë.

Drejtoresha e Organizatës Joqeveritare “Lady” nga Prishtina, Sanije Murati, nismëtare e projektit, ka theksuar se nëpërmjet punës së përbashkët dhe shkëmbimit të përvojave, organizata “I love Balkan” ka për qëllim mbështetjen e grave në Ballkan, në ekonomi, kulturë, afarizëm, shkollim dhe gjetjen e e mundësive për punësim. Sipas saj, këto gra, të cilat për vite të tëra u kanë ndihmuar grave tjera, të bashkuara mund të arrijnë më tepër.

Sanije Murati, drejtoreshë e OJQ-së "Lady"
Sanije Murati, drejtoreshë e OJQ-së "Lady"

“Përfundimisht, besoj që ky është ekipi më i mirë i grave. Me vite punoj në këtë sektor dhe të gjitha këto gra i njoh personalisht. Të gjitha këto gra kanë pas vete bagazh të madh të përvojës dhe punës dhe para së gjithash, secila prej tyre është njeri i madh. Njeriu gjithmonë duhet të niset vetë, sepse pastaj motivi është shumë më i madh. Ne të gjashtat, jemi nisur vetë, secila në vendin e saj. Pastaj, secila prej nesh ka mbledhur rreth vetes numër të madh të njerëzve dhe sot, të gjitha ne po mblidhemi nën një ombrellë. Për njëra-tjetrën jemi mjaftueshëm mbështetje të forta dhe krejt çka vjen nga jashtë është e mirëseardhur”, ka thënë Murati për Radion Evropa e Lirë.

Në themelimin e organizatës ka qenë e pranishme edhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila ka ofruar mbështetje për këtë nismë. Ajo ka thënë se problemet që kanë gratë, janë të ngjashme në tërë rajonin dhe botën dhe se për zgjidhjen e këtyre problemeve, është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi dhe vendosja e urave.

Ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

“Shteti, institucionet dhe shoqëria civile duhet që t’i përkushtohen investimit te gratë dhe të rinjtë, sepse ky është investim i qëndrueshëm për transformimin e një shoqërie”, ka theksuar Jahjaga.

Jasmina Saviq, e lindur në Prizren dhe e cila që nga mosha 15 vjeçe jeton në Kragujevc, ka thënë se gratë në Serbi, me të cilat bashkëpunon, nuk kanë asnjë problem që t’i shembin kufijtë dhe të vendosin bashkëpunimin.

“Gratë në Serbi janë mjaft të interesuara për bashkëpunim, sepse kemi potencial në kuptimin e kultivimit të zanateve të vjetra, me të cilat, konkretisht ne merremi në ‘Filigran Art’ nga Kragujevci. Kam drojën se ne jemi gjenerata e fundit që di të punojë zanatet e vjetra, të cilat janë të pasuri e pashtershme dhe gjithkund nëpër botë janë të vlerësuara, përveç në Ballkan, fatkeqësisht".

"Gratë në biznes janë një kategori, por në Ballkan ekziston ajo kategoria e padukshme e grave, të cilat janë në margjina dhe që nuk kanë mundësi që të tregohen përmes bizneseve të veta. Mendoj që një nga projektet tona të para të jetë pikërisht për ato gra amvise nga fshati, të cilat e kanë bartur tërë barrën në Ballkan dhe askush nuk i ka falënderuar”, është shprehur Saviq.

Reisa Hodzhiq nga Bosnjë e Hercegovina, pjesëtare e Shoqatës për zhvillim të kompetencave “S.K.I.LL.S”, është e bindur se kjo nismë është dëshmi e punës, përkushtimit dhe sinqeritetit, të një lufte të sinqertë dhe përpjekjeve të një gruaje që gratë tjera të bëhen dhe të mbeten të forta.

“Marrë parasysh që në këtë projekt kemi kolege nga sektorë të ndryshëm, do ta bëjmë një platformë ku do të sigurojmë qasjen individuale për secilën grua që t’i përcaktojë potencialet e saj dhe më pas t’i shfrytëzojë ato. Do të punojmë paralelisht të njëjtat projekte në vendet e njëjta. Pres sukses dhe besoj që do të kemi sukses, sepse e kemi bërë planin e detajuar se si të arrijmë deri te kjo. Kemi punuar gjatë në përgatitjen e këtij projekti, kështu që jemi të sigurta për atë që po e themi dhe për atë që po e punojmë”, ka thënë Hodzhiq.

Edita Dautoviq nga Shoqata e afaristeve të Malit të Zi, pret që kjo organizatë t’u ndihmojë grave të Ballkanit, përmes shkëmbimit të përvojave dhe dijeve.

“Përvojat tona janë pozitive, për sa i përket afarizmit, sepse kemi pasur diçka të ngjashme në lidhjen e shoqatave. Kjo sërish do të jetë si mundësi madhe dhe shanse që u ofrohen grave, sepse aty do të jenë të përfshira gratë nga sektori civil, nga biznesi, nga afarizmat”, ka theksuar Dautoviq.

Elma Tërshana nga Shqipëria, drejtoreshë e organizatës “Observatori për të drejtat e fëmijëve dhe të rinjve”, ka theksuar se “I love Balkan” është mundësi e artë, duke iu falënderuar vizionit të shoqërisë civile në Kosovë, gjegjësisht Sanije Muratit.

“Diçka e tillë, për mua është përvojë e parë dhe që në kontaktin e parë kam hetuar kënaqësi dhe entuziazëm ndërmjet nesh”, ka theksuar Tërshana.

Danijela Dabeska nga Maqedonia, e cila është pjesë e një organizate joqeveritare që merret me mbrojtjen e të drejtave të grave , ka deklaruar se dashuria ndaj Ballkanit e ka shtyrë që të jetë pjesë e organizatës “I love Balkan”, “me qëllim të ofrimit të shansit për gratë që kanë nevojë për të”.

Gratë nga Ballkani janë pajtuar që sistemi i vlerave që respektojnë gratë, nuk njohin kufij dhe pengesa dhe kjo është ajo që gratë i bën të suksesshme.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG