Në katër komunat veriore të Kosovës, me shumicë serbe, janë parë të dielën disa grafite të reja me mesazhet “Kur të kthehet ushtria në Kosovë, Brigada e Veriut jeton”.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se prokuroria ka iniciuar rast për shkak të “përhapjes së urrejtjes”
Sipas tij, ende nuk dihet kush i ka krijuar grafitet.
Qeveria e Kosovës e ka shpallur Brigadën Veriore dhe Mbrojtjen Civile si organizata terroriste në fund të qershorit të vitit 2023.
Besohet se këto dy organizata veprojnë në veri të Kosovës dhe numërojnë qindra anëtarë nga radhët e komunitetit serb.
Kjo nuk është hera e parë që Brigada e Veriut ka bërë grafite të tilla në veri të Kosovës.
Në disa prej tyre ishte thënë, “Mos u shqetësoni, ne jemi këtu, po presim”.
Po ashtu, dhjetë ditë para sulmit ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i armatosur serb në Banjskë të Zveçanit, vitin e kaluar, në Mitrovicë të Veriut është parë graffiti “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”.
Në grafitet e reja në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, përmendet se autore është Brigada e Veriut.
Grafite me mbishkrime identike janë shfaqur në qytetet e Serbisë qysh prej mesit të vitit të kaluar, dhe ato janë bërë prej tifozëve të klubit të futbollit Crvena zvezda.
Grafitet e reja janë parë në veri të Kosovës, në kohën kur serbët janë duke shfaqur pakënaqësi lidhur me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ta bërë euron si valutën e vetme për kryerje të pagesave, dhe duke e pamundësuar kështu përdorimin e dinarit serb për transaksione.
Serbia ndan fonde për serbët në Kosovë dhe ua paguan rrogat, pensionet, dhe ndihmat sociale në dinarë serbë.
Ditëve të fundit, autoritetet e Kosovës i kanë mbyllur edhe shtatë institucione paralele serbe, të cilat Kosova i konsideron ilegale me Kushtetutë.
Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë thirrje Kosovës që të mos marrë vendime që ndikojnë negativisht te komuniteti serb në Kosovë, dhe t’i shmangë tensionet.
Perëndimi ka kërkuar që Kosova dhe Serbia t’i zgjidhin të gjitha çështjet e hapura, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, prej vitit 2011.