Ndërlidhjet

Burgu i Goli Otok-ut pas gjashtë dekadash


Pamje nga burgu i Goli Otok-ut.
Pamje nga burgu i Goli Otok-ut.

Ishulli i Goli Otok-ut në Detin Adriatik, i njohur gjithashtu si "Alkatrazi kroat", ishte nga viti 1949 deri më 1956 i vetmi kamp i "riedukimit politik" në territorin e ish-Jugosllavisë.

Fillimisht u themelua për të ndëshkuar stalinistët jugosllavë, domethënë ata që mbështetën Rezolutën e Informbyrosë për Jugosllavinë (1948) dhe për këtë arsye u shpallën "armiq të popullit jugosllav".

Sot, ishulli Goli Otok është i braktisur, dhe vizitorët e vetëm janë turistët kuriozë, nudistët dhe eksploruesit.

Korrespondentja e Shërbimit rus të Radios Evropa e Lirë vizitoi ishullin, dhe bisedoi me ish të burgosurit, dhe të afërmit e tyre, për këtë periudhë të errët të historisë Jugosllave.

Në Adriatik është ditë me diell. Anija e turistëve “Mala Maris” po i afrohet ngadalë Goli Otok-ut, një ishull me një zonë rreth 4.7 kilometra. Ishulli është më i vogli për nga madhësia, nga tre ishujt pranë destinacionit turistik Rab. Anija ndalet në të njëjtin vend kur më 9 korrik 1949, arriti grupi i parë i të burgosurve politikë.

Para se të themelohej kampi i përqendrimit, ishulli ishte i pabanuar. Pjesa më e madhe e këtij kompleksi është ndërtuar nga të burgosurit. Historianët besojnë se kampi i parë në Goli Otok u krijua nga Perandoria Austro-Hungareze gjatë Luftës së Parë Botërore. Të burgosurit e tij, thuhet se ishin robër lufte rusë. Shkrimtari kroat, Ante Zemar, i cili ishte në Goli Otok nga 1949 deri në vitin 1953, ka shkruar se të burgosurit kishin gjetur një uniformë ushtarake ruse gjatë ndërtimit të kompleksit të burgjeve. Sidoqoftë, pasi që nuk janë bërë gërmime arkeologjike, historia e viktimave të para të ishullit, mbetet ende si një legjendë.

Pjesa qendrore e burgut në Goli Otok.
Pjesa qendrore e burgut në Goli Otok.

Nga viti 1956 deri më 1980, kompleksi u përdor zyrtarisht si një kamp ndalimi për "kundërshtarët e komunizmit". Pas vdekjes së udhëheqësit jugosllav, Josip Broz Tito, më 1980, kampi u shndërrua në një qendër për të mitur, dhe u mbyll në të njëjtin vit, pasi organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut akuzuan Jugosllavinë për trajtim çnjerëzor të të burgosurve.

Rojet e fundit nga burgu i Goli Otokut u larguan më 1988, pasi u bë mbyllja përfundimtare e tij.

Aty kanë mbetur vetëm disa bagëti që kullosin në atë hapësirë dhe lepuj që përdoren për gjueti nga banorët e ishujve përreth. Për shkak të mungesës së ujit, mbjellja e pemëve për shumë vite ishte e pasuksesshme. Aty gjenden disa pemë që janë tharë, dhe të cilat janë një lloj monumenti për torturat ndaj të burgosurve politikë. Një nga torturat ishte urdhri për të mbjellë një pemë, dhe t'i bëhet asaj hije, me trupin e vet të burgosurit, në mënyrë që pema të mbrohet nga dielli. Për secilën pemë janë siguruar 0.5 deri 0.7 litra ujë, përderisa për të burgosurit sigurohej një gotë ujë në ditë ose 0.2 litra. Në Goli otok nuk ekzistojnë burime të ujit të pijshëm.

Pamje nga pjesa e brendshme e burgut të Goli Otok-ut.
Pamje nga pjesa e brendshme e burgut të Goli Otok-ut.

Si janë prishur raportet mes Jugosllavisë dhe BRSS?

Byroja e Informimit Komunist (Informbyroja) u krijua në 27 shtator 1947 në Poloni, me seli në Beograd.

Konflikti midis Partisë Komuniste të Jugosllavisë (KPJ) dhe Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS), bëri që Jugosllavia të dëbohej nga Informbyroja.

Në mars të vitit 1948, udhëheqësi i BRSS-së, Joseph Stalin u dërgoi një letër udhëheqësve jugosllavë, duke kritikuar Partinë Komuniste të Jugosllavisë. Udhëheqja jugosllave vendosi që Tito (udhëheqësi jugosllav Josip Broz Tito) të mos merrte pjesë në takimin e Informbyrosë në Bukuresht, të planifikuar për në qershor të vitit 1948. Udhëheqësi komunist polak, Vladislav Gomulka, dhe shefi i Partisë Komuniste Bullgare, Georgi Dimitrov, gjithashtu refuzuan të marrin pjesë në takim.

Pas seancës, pjesëmarrësit miratuan një rezolutë e njohur si Rezoluta e Informbyrosë, duke thënë se Partia Komuniste e Jugosllavisë ndjek një politikë armiqësore ndaj Bashkimit Sovjetik, se partia drejtohet nga spiunë dhe mercenarë të huaj, të cilët nuk dëgjojnë këshillat e partive të tjera komuniste.

Një pjesë e historianëve pretendojnë se në vjeshtën e vitit 1952, Stalini planifikoi një sulm ndaj Jugosllavisë, të koduar si “Operacioni Jugosllavi”. Në kufirin me Bullgarinë, forcat u vendosën nën komandën e Georgy Zhukov. Në nëntor 1952, tanket e Ushtrisë së Kuqe marshuan drejt kufirit jugosllav, por pas një kohe u kthyen në kazermë. Sipas Arkivit Jugosllav në Beograd, 7.877 incidente kufitare ndodhën gjatë konfliktit midis Titos dhe Stalinit, duke vrarë 17 roje kufitare jugosllave.

Pas vdekjes së Stalinit, hapi i parë drejt pajtimit jugosllav-sovjetik u bë nga Nikita Hrushovi, i cili arriti në Beograd në maj 1955. Marrëdhëniet midis vendeve u përmirësuar. Trajtimi i të burgosurve në Goli Otok u lehtësua menjëherë në vitin pasues.

Një nga shtretërit e pakët të mbetur të burgut që është në shkatërrim e sipër.
Një nga shtretërit e pakët të mbetur të burgut që është në shkatërrim e sipër.

Jeta në Goli Otok

Në ishull të burgosurit u torturuan. Shumë dëshmitarë flisnin për torturën e quajtur "lepuri i ngrohtë". Menjëherë pas mbërritjes në ishull, të burgosurit e rinj duhej të kalonin nëpër radhët, ku ata rriheshin nga të burgosurit e vjetër.

“Gjyshi im, Vuk Trnavski, një gazetar nga Beogradi, mbërriti në Goli Otok në vitin 1951", thotë për Radion Evropa e Lirë, Milosh Trnavski.

Grupi i tij kaloi përmes torturave të njohura si “lepuri i nxehtë” në çifte: të burgosurit ishin të lidhur me zinxhirë nga këmbët, për njëri-tjetrin.

I burgosuri që shkoi me gjyshin e tij, u rrah për vdekje, dhe gjyshi i tij duhej ta tërhiqte në kamp .

Familja Trnavski gjithashtu kaloi nëpër vuajtje.

"Partia Komuniste mori banesën tonë dhe transferoi familjen e një anëtari të partisë. Për fat të mirë, ai ishte një njeri i mirë dhe lejoi nënën dhe gjyshen time të qëndrojnë në njërën nga dhomat. Ato nuk kishin ku të shkonin”, thotë Trnavski.

Ndëshkimi i Vuk Trnavskit vazhdoi pas lirimit të tij.

"Kur ai u përpoq të gjente një punë përsëri, ata e pyetën atë për punën e mëparshme dhe gjyshi im u përgjigj se ai ishte një gazetar. Në Partinë Komuniste vendosën që puna e tij do të ishte të ngarkonte vagonë të gazetave të shtypura në Beograd dhe të cilat më pas shpërndaheshin në të gjithë vendin. Por, gjyshi im më në fund pati fat. Ai e njohu një anëtar të lartë të Partisë dhe i tha në mbledhje se gazeta ‘Politika’, ku gjyshi punonte para burgosjes, po bëhet gjithnjë e më e keqe, në kohën kur gazetarët e vërtetë duhet të bartnin gazetat nëpër hekurudhë. Kështu ata e kthyen gjyshin në punën e tij të mëparshme”, thotë Trnavski.

Të burgosurit më së shpeshti dënoheshin jashtë gjykatës, dhe vështirë se kishte ndonjë dokument zyrtar nga ajo periudhë për qasjen e publikut.

Sidoqoftë, nga tregimet e dëshmitarëve që u shfaqën në media në vitet 1970, e dimë se për të ndjekur penalisht, ishte mjaft e mjaftueshme për të bërë një pyetje të vështirë.

Jelena Mërgja një fotografe në Beograd, prindërit e së cilës ishin të burgosur në Goli otok, i tha Radio Evropës së Lirë se prindërit e saj përfunduan në kamp gjatë viteve të studimeve.

Stojadin Mërxha dhe Radmila Stojanoviq
Stojadin Mërxha dhe Radmila Stojanoviq

"Nëna ime, Radmila Stojanoviq po studionte në vitin e dytë në Fakultetin e Bujqësisë më 1949. Dikush i tha të shkruante në makinë shkrimi. Ajo u pajtua të shkruajë dhe më pas u arrestua, megjithëse nuk e mori kurrë këtë dokument”, thotë Mërxha.

Ajo shton se nëna e saj e mori nofkën “pulëbardha”, për shkak të ngjashmërisë me një aktore të një filmi rus të vitit 1915.

"Kjo ishte e mjaftueshme për t'u shpallur përkrahëse e BRSS-së dhe ajo u dërgua në kamp të përqendrimit. Babai im, Stojadin Mërxha filloi ta kërkonte atë. Ai shkoi në vendlindjen e nënës , jo larg Beogradit dhe e pyeti nëse dikush e kishte parë atë. Ai u arrestua dhe u dërgua gjithashtu në ishullin Goli otok. Nëna ishte aty për katër vjet, ndërsa babai për një vit e gjysmë. Pasi u liruan në vitin 1953, ata u takuan përsëri, dhe unë u linda në 1956", thotë më tutje Mërxha.

Ajo thotë se prindërit rrallë flisnin për atë që kishin përjetuar.

"Nuk flisnim, por të gjithë e dinin se ata ishin në Goli Otok. Ne kurrë nuk shkuam në det. Ata thanë se kishin pasur det të mjaftueshëm në jetën e tyre", tregon Mërxha.

Kur babai i saj ishte i moshuar dhe pasi gruaja e tij vdiq, ai filloi të flasë për tortura.

"Jeta në kamp ishte e rregulluar në atë mënyrë që të burgosurit të detyroheshin të torturonin njëri-tjetrin. Përndryshe, ata do të ndëshkoheshin dhe rriheshin më keq. Unë mendoj se ish të burgosurit heshtën, jo vetëm nga frika, por edhe për shkak të turpit. Ata nuk donin të flisnin se si torturonin njerëzit e tjerë", thotë Mërxha.

Në ishull u takuam me Joshko Pinjatela, një mjek nga Zara i cili kaloi katër muaj në burg nga 1957 deri më 1958. Ai ishte 18 vjeç në atë kohë. Këtë verë, Pinjatela erdhi në ishull për herë të parë që nga lirimi i tij.

"Gjithçka ka ndryshuar aq shumë sa që vështirë se mund t'i identifikoj ndërtesat. Kazermat ku kemi fjetur janë zhdukur. Secila strehonte 150-200 persona", thotë ai.

Joshko Pinjatela, ish i burgosur.
Joshko Pinjatela, ish i burgosur.

Pinjatela shprehet se në kamp kishte një “vetëqeverisje të të burgosurve”.

"Mund të duket më mirë, por në të vërtetë ishte shumë keq sepse të moshuarit përpiqeshin të qëndrojnë në pushtet", tha ish i burgosuri.

Pinjatela u dërgua në burg për mosrespektimin e identitetit jugosllav dhe promovimin e simboleve kroate.

"Në atë kohë, i ashtuquajturi aktivizmi im nuk ishte aq politik: Unë as nuk dija asgjë për politikën. Ishte thjesht dashuri për vendin, por për shkak të kësaj unë u dënova. Në Zadar ne dikur përdornim parulla si 'Rroftë Kroacia dhe gjuha kroate!’. Unë nuk e pranova serbo-kroatishten. Për mua ishte një gjuhë artificiale. Atëherë më nxorën nga shkolla. Pranova një konfirmim se më ndalohej të regjistrohesha në ndonjë institucion arsimor në Jugosllavi. Në mënyrë që të rifitoja të drejtën time në arsim, unë duhej të provoja se kisha ndryshuar mendim dhe sjellje”, thotë ai.

Pamje nga punëtoria që gjendej brenda burgut të Goli Otok-ut.
Pamje nga punëtoria që gjendej brenda burgut të Goli Otok-ut.

Pinjatela mbërriti në Goli Otok në mes të nëntorit.

"Tashmë ishte ftohtë. Ne menjëherë u dërguam në një dush me akull. Rrobat i lamë jashtë banjës dhe kur dolëm jashtë, rrobat e burgut po na prisnin në dysheme. Unë ndeza cigaren time të parë në ishull. Pinim duhan që të ngroheshim. Edhe sot e kësaj ditë unë pi duhan”, thotë ai.

"Goli Otok-u në vitin 1957 nuk ishte aq i tmerrshëm sa u portretizua në dokumentarë për periudhën 1949-1956. Marrëdhëniet midis Jugosllavisë dhe BRSS-së u përmirësuan edhe para burgosjes sime. Pasi Hrushovi vizitoi Beogradin më 1955, trajtimi i të burgosurve kishte ndryshuar. Por, kishte ende jehonë të atyre ndëshkimeve të urryera. Mbaj mend që kam bartur gurë me një karrocë me dorëza nga teli, nëse i vendosnit poshtë, teli do të tërhiqej dhe do të preheshe deri në gjak. Përveç kësaj, ne ishim të detyruar të pastronim shkallët. 170 hapat nga lartë- poshtë, pa i përkulur gjunjët. Kjo ishte shumë e vështirë. Kur kemi punuar ngadalë ose keq, sigurisht që ata na rrihnin", thotë ish i burgosuri.

Vetëm delet që barinjtë nga ishullit Rab i sjellin këtu për t’i kullotur dhe disa lepuj janë banorët e ishullit të Goli Otok-ut.
Vetëm delet që barinjtë nga ishullit Rab i sjellin këtu për t’i kullotur dhe disa lepuj janë banorët e ishullit të Goli Otok-ut.

Burgu i Goli Otok-ut po shembet tash e disa dekada. Megjithëse në vitin 2005 Parlamenti kroat mbështeti iniciativën për ta shpallur kampin një zonë përkujtimore, kjo ide nuk u realizua. Sot jeni i lirë të hyni në çdo ndërtesë - punëtori, kazermë dhe ndërtesa administrative.

Sidoqoftë, këto dhoma janë të pasigurta: çatitë dhe dyshemetë janë prishur. Nuk ka asnjë dritare të pa dëmtuar, mbetjet e qelqit janë në tokë.

"Gjatë regjimit komunist, familja ime nuk e harroi fenë e tyre. Ne kemi praktikuar në fshehtësi besimin katolik. Unë i kam falur, sepse kështu i takon një të krishteri", thotë Pinjatela.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG