Ndërlidhjet

Konjufca: Propozimi për Asociacionin, plotësisht në përputhje me Kushtetutën


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Fotografi nga arkivi.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Fotografi nga arkivi.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se propozimi i Bashkimit Evropian, i cilësuar si propozim modern evropian për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duket se është në përputhje të plotë me Kushtetutën.

Gjatë një prononcimi për media në Prishtinë, Konjufca megjithatë tha se për Asociacionin nuk duhet të negociohet dhe ai nuk duhet të jetë temë qendrore e negociatave, pasi për të është arritur më herët marrëveshje.

“Në një shikim sipërfaqësor, po [propozimi për Asociacionin] është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe kurrfarë niveli i pushtetit në Kosovë. Por, edhe kjo nuk mendoj që është temë e negociatave me Serbinë. Nëse ndonjëherë ndodh ndonjë draft i Asociacionit, ai do të propozohet nga Republika e Kosovës, nëse veç ndodh, nëse jo nuk do të propozohet fare”, tha Konjufca.

Gjatë takimeve në Kosovë dhe Serbi të pesë diplomatët nga BE-ja, Shtetet e Bashkuar, Franca, Italia dhe Gjermania, sipas bllokut evropian, palëve u është paraqitur një “propozim modern evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano më 24 tetor.

Edhe më herët, BE-ja ka thënë se i ka paraqitur Kosovës dhe Serbisë disa modele evropiane për statutin e Asociacionit.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe 2015. Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2015 gjeti se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit dhe tha se ai duhet të harmonizohet përmes akteve nënligjore.

Kosova deri më tani ka refuzuar të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke shprehur frikën se mund të cenojë funksionalitetin e shtetit. Serbia, ndërkaq, insiston në themelimin e tij.

Për jetësimin e Marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, aktualisht ekzistojnë katër draft-statute dhe draft-vizione: Draft-statuti i Ekipit Menaxhues, draft-vizioni i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, draft-statuti i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe draft-statuti për Asociacionin i hartuar nga organizata gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung (FES).

Në Kosovë dhe Serbi më 21 tetor qëndroi i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçaku, së bashku me katër diplomatë të tjerë: i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe zyrtarët e lartë nga Franca, Emanuel Bonne, Gjermania, Jens Plotner dhe Italia, Alessandro Cattaneo.

Komuniteti ndërkombëtar po i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë që t'i kthehen dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja, pas rritjes së tensioneve mes dy shteteve.

Tensionet janë rritur qysh në maj në komunat veriore të Kosovës, pasi serbët lokalë kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë, që dolën nga zgjedhjet e prillit - të bojkotuara nga serbët.

Më 24 shtator tensionet u përshkallëzuan pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur i serbëve, ku vdiq polici Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve u vranë edhe tre sulmues serbë.

Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar përfshirjen në të.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG