Ndërlidhjet

Nis gjyqi për zjarrin vdekjeprurës në spitalin e Tetovës


Një polic duke qëndruar para spitalit të djegur në Tetovë të Maqedonisë së Veriut. Shtator, 2021.
Një polic duke qëndruar para spitalit të djegur në Tetovë të Maqedonisë së Veriut. Shtator, 2021.

Një vit pas zjarrit vdekjeprurës në spitalin modular të Tetovës, në Gjykatën Themelore të këtij qyteti nisi gjykimi ndaj tre të akuzuarve. Por, seanca u anulua, pasi dy nga të akuzuarit nuk ishin të pranishëm.

Trupi gjykues nuk dha ndonjë arsyetim për mungesën e të akuzuarve, por njoftoi se seanca gjyqësore do të shtyhet për 14 tetor.

Ish-drejtori i përgjithshëm i spitalit të Tetovës, Florin Besimi, ish-drejtori ekonomik, Artan Etemi, dhe përgjegjësi për spitalin modular, Boban Vecevski, janë të akuzuar në këtë rast.

Ata akuzohen për veprat penale: “nxitje e rrezikimit të përgjithshëm” dhe “mosveprim sipas rekomandimeve shëndetësore në kohë epidemie”.

Për këto vepra, sipas ligjeve në Maqedoninë e Veriut, personat e dyshuar, nëse shpallen fajtorë, mund të dënohen deri në 5 vjet burgim.

Zjarri në spitalin ku trajtoheshin pacientë me sëmundjen COVID-19, ka shkaktuar vdekjen e 14 personave.

Florin Besimi, ish-drejtori i spitalit, tha ndihet i pafajshëm dhe se këtë do ta dëshmojë gjatë procesit gjyqësor.

“Duhet të kemi durim derisa të fillojë procesi gjyqësor pasi jam i bindur se me fakte dhe argumente do të dëshmojmë të vërtetën”, tha Besimi pasi doli nga Gjykata e Tetovës.

*Video nga arkivi i REL-it: Zjarri vdekjeprurës në spitalin e Tetovës

Katërmbëdhjetë të vdekur nga zjarri në spitalin për COVID-19 në Tetovë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:55 0:00

Në mesin e viktimave ka pasur pacientë të infektuar dhe familjarë që kujdeseshin për ta.

Ngjarja ka ndodhur më 8 shtator të vitit 2021.

Mumini nga Tetova ishte dëshmitar i tragjedisë ku humbi nënën e tij, e cila po trajtohej për sëmundjen COVID-19. Ai kërkoi përgjegjësi për ngjarjen.

“Po presim, shpresat nuk i humbin asnjëherë që të ketë gjykim të drejtë. Do të shohim çfarë do të ndodhë, por gjithsesi se ne nuk do të dorëzohemi për këtë rast dhe nëse do të ketë nevojë do të shkojmë edhe në Gjykatën në Strasburg për të kërkuar drejtësi për të dashurit tanë. Mua nëna mu dogj duke e mbajtur në krah. Dikush duhet të marrë përgjegjësi për këtë rast”, tha ai.

Sipas ekspertizave të bëra në Maqedoninë e Veriut dhe në Gjermani, zjarri është shkaktuar nga mbinxehja e një kablloje vazhduese, ku kanë qenë të lidhura disa pajisje elektronike, përfshirë defibrilatorin - mjet për trajtimin e pacientëve në rast të ndonjë sulmi kardiak.

Në Maqedoni të Veriut ka pasur disa protesta për këtë rast, ndërsa ministri i atëhershëm i Shëndetësisë, Venko Filipçe, dhe ish-zëvendësministri Ilir Hasani kanë dhënë dorëheqje, edhe pse ato janë refuzuar nga kryeministri i asaj kohe, Zoran Zaev.

Dorëheqje kanë dhënë edhe tre të akuzuarit.

Maqedonia e Veriut ka 19 spitale modulare për pacientët me COVID-19 - dy prej të cilave janë donacion, ndërsa për ndërtimin e të tjerave janë shpenzuar 3.6 milionë euro.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins në SHBA, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar mbi 341.000 raste me COVID-19 dhe mbi 9.400 viktima.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG