Mbrojtja e Veselit: UÇK s’ka pasur strukturë e as hierarki
Avokati mbrojtës i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, tha se pretendimet Zyrës së Prokurorit të Specializuar se UÇK-ja ishte një ushtri e mirëorganizuar dhe me strukturë funksionale, nuk qëndrojnë.
Ai tha se në rastin më të mirë, ka pasur “aspiratë të individëve për të qenë të organizuar" që sipas tij, nuk përkonin me "realitetin e situatës në terren”.
“Nuk ka pasur strukturë për grupet e formuara, e as hierarki që prokuroria supozon. Nuk ka pasur pasoja për individët që largoheshin nga fushëbeteja, e ktheheshin pas një jave apo më vonë”, tha ai duke shtuar se ka pasur grupime të vogla personash që mbronin vendbanimet e tyre nga forcat serbe.
“Ky është konteksti real që ZPS-ja nuk dëshiron t’ua bëjë me dije”, tha ai.
Mbrojtja e Selimit: Trashëgimia e UÇK-së, nën sulm të ZPS-së
Avokati mbrojtës i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, nisi fjalën hyrëse pas fjalimit disa minutësh që mbajti klienti i tij.
Ai, duke ju referuar fjalimit të Selimit, tha se është “e kuptueshme pse Selimi dhe të tjerët e ndiejnë njëfarë detyrimi për të mbrojtur trashëgiminë e UÇK-së, kur kjo e fundit ishte qartazi në sulmin e kësaj prokurorie”.
“Dëgjuam dje ZPS-në të thotë që kjo çështje nuk përbën procesim penal ndaj UÇK-së. Megjithatë përtej fjalëve të zgjedhura me kujdes, të rëndësishme janë veprimet e ZPS-së”, tha Roberts.
Avokati i Selimit tha se prokuroria ka dështuar të përmend krizën ekzistenciale në të cilën gjendeshin shqiptarët e Kosovës që vendosin të nisnin luftë për liri.
Ai po ashtu tha se gjatë deklaratë hyrëse të ZPS-së, ky institucion iu referua masakrave në Kosovë, sikurse ajo në Prekaz të Skenderajt “si ngjarje” dhe sipas tij, ky mohim i krimit të serbëve ndaj shqiptarëve “nuk është asgjë tjetër veçse manipulim i ZPS-së”.
Selimi: S’kam të bëj me asnjë nga krimet e pretenduara
Ish-eprori i UÇK-së, Rexhep Selimi, sërish para Dhomave të Specializuara tha se nuk ka të bëjë me asnjë nga krimet e pretenduara në aktakuzën ndaj tij.
“Jemi këtu përballë një aktakuze që ende vazhdojmë ta konsiderojmë të pabazuar mbi fakte dhe argumente”, tha Selimi në ditën e dytë të gjykimit ndaj tij dhe tre ish-eprorëve të tjerë të UÇK-së.
Ai tha se shpreson që në fund të procesit do të vërtetohet pafajësia e tij.
"Pas themelimit të kësaj gjykate, jo rrallë herë jam pyetur se a kisha frikë nga drejtësia. Gjithmonë kam thënë dhe sot e përsëris: unë nuk kam frikë nga drejtësia, por nga padrejtësia duhet të kemi frikë të gjithë. Por, pavarësisht kësaj unë qëndroj sot përballë jush me besimin e plotë se në fund të këtij procesi ju do të vendosni në favor të pafajësisë time", tha ai.
Ai tha se Kosova nuk kishte një ushtri të mirëfilltë, të organizuar mirë, kishte mungesë të armëve e njerëzve. Kosova, sipas tij, nuk do ta zgjidhte kurrë luftën, por lufta sipas tij "ishte domosdoshmëri për mbijetesë".
Emmerson: S’ka prova se Veseli ishte pjesë e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”
Avokati Ben Emmerson tha se më 3 prill Zyra e Prokurorit të Specializuar prezantoi një shkrim dore të gjetur në shtëpinë e Jakup Krasniqit, që fliste për fushën e zbulimit.
Por, ai tha se në këtë letër, të cilës nuk i dihet autori, nuk përmendet emri i klientit të tij, Kadri Veseli, dhe prokuroria nuk ka asnjë provë se ai ka qenë pjesë e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”.
“Fakti që ky dokument, që nuk ja dimë prejardhjen, që prokuroria nxori për të përshkruar çështjen kudnër Veselit për rolin që luante si shef i zbulimit, tregon se nuk kanë asnjë provë konkrete lidhur me zbatimin e kësaj ndërmarrjeje të përbashkët kriminale. Ky shkrim as që e përmend Veselin”, tha Emmerson.
Ai tha se ZPS-ja ka ngritur çështjen ndaj Veselit duke u mbështetur vetëm në faktin se ai kishte qenë shef i zbulimit, por sipas Emmerson, nuk ka asnjë provë se klienti i tij ka kryer ndonjë nga krimet e pretenduara, apo ka qenë në dijeni për kryerjen e tyre.
Veseli, sipas tij, po ashtu nuk ka shkruar, autorizuar apo ka pasur në posedim ndonjërën prej komunikatave të UÇK-së, që prokuroria pretendon se janë përdorur për të shënjestruar kundërshtarët e UÇK-së.