Ndërlidhjet

Ish-krerët e UÇK-së të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit,
Ish-krerët e UÇK-së të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit,

Përfundojnë deklaratat hyrëse në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

  • Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre bashkëpunëtorë të tij të kohës së luftës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, kanë dalë më 3 prill para Gjykatës Speciale në Hagë, për t’u gjykuar për akuzat që i lidhin me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
  • Ata dyshohen për vrasje të serbëve, romëve dhe kundërshtarëve të tjerë në luftën e viteve 1998/99 në Kosovë.
  • Krimet e supozuara përfshijnë: vrasje, torturë dhe zhdukje me forcë, dhe janë kryer në disa qytete të Kosovës dhe në disa zona të veri të Shqipërisë.
  • Të katërtit, ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë deklaruar të pafajshëm.
10:52 4.4.2023

Kehoe: Aktet e lokalizuara të dhunës u kryen edhe nga njerëz që prezantoheshin si UÇK

Avokati mbrojtës i Hashim Thaçit, duke folur për periudhën pas çlirimit të Kosovës dhe nisjes së administrimit të Kosovës nga UNMIK-u, tha se krime mund të kenë ndodhur në nivel lokale me motive hakmarrjeje.

“Aktet e lokalizuara të dhunës individuale të nxitura nga zemërimi, urrejtja, mungesa e llogaridhënies ishin të pashmangshme”, tha Kehoe duke thënë se njerëzit që ishin kthyer nga dëbimi i gjetën pronat e tyre të djegura dhe të dëmtuara.

“[Aktet e dhunës] shpesh shkaktoheshin nga kriminelët, elementët keqbërës të UÇK-së, njerëz që prezantoheshin si UÇK, mbanin uniforma të blera në rrugët e Prishtinës e gjetkë”, tha tutje avokati.

Ai prezantoi edhe një pjesë të intervistës dhënë në korrik të vitit 1999 të ish-gjeneralit të NATO-s, Wesley Clark lidhur me krimet hakmarrëse ndaj serbëve lokalë.

“Ka qindra e mijëra njerëz që po kthehen mbrapsht. Kanë ndodhur gjëra të tmerrshme, por ka edhe serbë që mendojnë se do të jenë fajtorë për shkak të etnicitetit të tyre. Ka përpjekje legjitime që pronat t’i kthehen pronarëve. Është periudhë që po merret hak, po lahen hesape”, është cituar të ketë thënë Clark.

10:45 4.4.2023

UÇK-ja “nuk kishte strukturë komande”

Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, tha se për shkak të ofensivave serbe në Kosovë, më 1999, shumica e anëtarëve të Shtabit të Përgjitshëm, kishin ikur nga Kosova.

“Ofensiva serbe e dyta, po flasim për fushatën masive të vitit 1999, pengoi çdo mundësi që UÇK-ja të vepronte apo funksiononte si një njësi e bashkuar”, tha avokati Gregory Kehoe.

“Nuk kishte strukturë komande të UÇK-së dhe me siguri nuk kishte strukturë efikase”, shtoi ai.

Thaçi dhe tre të akuzuarit e tjerë akuzohen se kanë themeluar Shtabin e Përgjithshëm dhe se ky trup ka shënjestruar “kundërshtarët” e perceptuar të UÇK-së.

10:25 4.4.2023

Mbrojtja flet rreth kontrollit të UÇK-së

Mbrojtja e Thaçit po vazhdon deklaratën hyrëse, duke tentuar që të hedh poshtë pretendimet e prokurorisë.

Avokati i Thaçit, Gregory Kehoe, sërish insistoi se Thaçi nuk kishte pushtet real gjatë luftës, ashtu siç pretendon prokuroria se ai ka udhëhequr një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”.

“Hashim Thaçi nuk kontrollonte UÇK-në, e kontrollonin komandantët e zonave”, tha ai.

Kehoe po ashtu kundërshtoi një prej pikave kyçe të aktakuzës së Speciales, që thotë se synimi kryesor i Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, ishte të merrnin kontrollin e Kosovës.

"Nuk është aspak e vërtetë", tha ai.

Ai tha se Qeveria e Përkohshme e udhëhequr nga Thaçi, kshte qëllim të ishte me bazë të gjerë, ashtu siç kishte kërkuar SHBA-ja, tha Kehoe.

Në këtë Qeveri të Përkohshme, sipas Kehoe, kishte vend për Lidhjen Demokratike të Kosovës, ndonëse ky subjekt refuzoi të merrte pjesë. Ky ekzekutiv, sipas mbrojtësit të Thaçit, nuk u krijua për të shënjestruar "kundërshtarët" e as për shfrytëzuar vakuumin e pushtetit.

10:17 4.4.2023

Mbrojtja: Thaçi nuk kishte mundësi të parandalohet apo ndëshkonte krimet

Avokati Gregory Kehoe, sërish mbështeti pretendimin e tij se Thaçi nuk kishte pushtet që të parandalohet apo ndëshkonte krimet e mundshme gjatë luftës.

Ai tha se Thaçi, dhe Azem Syla, që atëbotë ishte komandant i përgjithshëm i UÇK-së ishin në Rambuje, kur Syla u shkarkua dhe u zëvendësua me Sylejman Selimin.

“Hashim Thaçi nuk kishte mundësinë të parandalonte apo të ndëshkonte krimet që ndodhnin nëpër zona. Pushteti real u takonte komandantëve të zonave”, tha ai.

Shikoni ditën e dytë të gjykimit:

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG