Ndërlidhjet

Kryeprokurori i GJPN-së kundër krijimit të gjykatës speciale për krimet në Ukrainë


Kryeprokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Karim Khan.
Kryeprokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Karim Khan.

Kryeprokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN) kundërshtoi një propozim të Bashkimit Evropian për të krijuar një gjykatë speciale, të mbështetur nga OKB-ja, për të ndjekur penalisht krimet në Ukrainë. Ai tha se GJPN-ja është e aftë që të trajtojë në mënyrë efektive krimet e kryera atje.

Kryeprokurori Karim Khan kundërshtoi planin për të cilin presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi javën e kaluar. Zyrtarja evropiane tha se duhet të krijohet një gjykatë speciale për të ndjekur penalisht pushtimin rus të Ukrainës.

“BE-ja e ka keqinterpretuar ligjin”, u tha Khan gazetarëve, teksa shtoi se institucioni ku ai punon është i aftë që të ndjekë penalisht figura të larta politike.

Gjykata Penale Ndërkombëtare, me seli në Hagë, ka nisur një hetim lidhur me krimet e luftës në Ukrainë, por ky institucion nuk mund të ndjekë penalisht krimin e agresionit – akti i pushtimit të një shteti tjetër – sepse Federata Ruse nuk është nënshkruese e Statutit të Romës, një traktat që ka krijuar këtë gjykatë.

Në njoftimin e saj, von der Leyen tha se është thelbësore që të merret miratimi nga Kombet e Bashkuara, në mënyrë që të shmangen problemet e imunitetit. Krerët shtetërorë, sikurse ai rus Vladimir Putin, në përgjithësi konsiderohen se janë imunë nga ndjekja penale për aq kohë sa janë në pozita shtetërore.

Von der Leyen tha se BE-ja do të punonte me partnerët ndërkombëtarë “për të marrë mbështetje sa më të madhe ndërkombëtare” për tribunalin, dhe po ashtu do të vazhdojë mbështetjen për GJPN-në.

Khan e pranoi se GJPN-ja nuk mund të ndjekë penalisht Putinin për krim të agresionit, por figurat e nivelit të lartë mund të ndiqen penalisht për krime lufte apo gjenocid.

“Ne duhet të shmangim fragmentimin dhe në vend të kësaj të përqendrohemi në punën e konsolidimit”, tha Khan gjatë adresimit para një trupi mbikëqyrës të gjykatës.

Që kur Putin urdhëroi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, forcat e tij ushtarake janë akuzuar për shkelje, duke filluar nga vrasjet në Buça e deri te sulmet vdekjeprurëse ndaj ndërtesave civile, përfshirë edhe bombardimin e teatrit në Mariupol më 16 mars, sulm në të cilin, sipas një hulumtimi të Associated Press, janë vrarë afër 600 persona.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG