Ndërlidhjet

Gjykata e Apelit vendos se Trumpi duhet të përballet me padi për trazirat në Kapitol


Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Gjykata e Apelit në Shtetet e Bashkuara vendosi të premten se paditë kundër Donald Trumpit në lidhje me trazirat në Kapitol mund të ngrihen, duke e hedhur poshtë kështu ankesën e ish-presidentit amerikan kundër akuzave ndaj tij për nxitjen e dhunës së 6 janarit 2021.

Gjykata e Apelit në Distriktin Kolumbia i hodhi poshtë pretendimet e Trumpit se imuniteti presidencial e mbron atë nga përgjegjësia në paditë e ngritura nga ligjvënësit demokratikë dhe oficerët e policisë.

Megjithatë, paneli prej tre gjyqtarësh tha se Trumpi mund ta vazhdojë luftën ligjore në përpjekje për të dëshmuar se veprimet e tij ishin ndërmarrë në kapacitetin e tij zyrtar si president.

Trumpi – i cili i prin garës për t’u nominuar kandidat për president nga radhët e republikanëve për zgjedhjet presidenciale të 2024-ës – ka thënë ai nuk mund të paditet për trazirat si pasojë e të cilave u plagosën dhjetëra zyrtarë policorë, duke argumentuar se fjalimi i tij gjatë një tubimi para se njerëzit të futeshin stuhishëm në Kapitol dhe të shkaktonin trazira adresoi “çështje me interes publik” dhe se ato ishin në përputhje me imunitetin e plotë presidencial.

Ky vendim u mor në një kohë kur avokatët mbrojtës të Trumpit po argumentojnë se ai është imun, po ashtu, ndaj ndjekjes në një rast penal të cilin e ngriti prokurori special, Jack Smith, ku Trumpi akuzohet se kishte tentuar ta përmbyste jashtëligjshëm disfatën kundër Joe Biden në zgjedhjet e kaluara presidenciale.

Ky rast në Uashington është në mesin e katër rasteve penale me të cilat Trumpi është duke u përballur teksa po tenton të kthehet në Shtëpinë e Bardhë më 2024.

Vendimi i së premtes vë në pah sfidat me të cilat po përballet Trumpi, derisa po tenton t’i bindë gjykatat dhe mbase edhe juritë, se veprimet të cilat i ndërmori para trazirave në Kapitol, ishin pjesë e detyrave të tij zyrtare si president.

Derisa gjykatat u kanë ofruar imunitetet të madh presidentëve për veprimet e tyre zyrtare, gjykatësit e kanë bërë të qartë se mbrojtja nuk mbulon çdo veprim apo fjalim të bërë nga një president.

Një president i cili garon për mandatin e dytë, për shembull, nuk kryen detyra zyrtare të presidencës kur flet në një tubim të financuar nga fushata e tij për zgjedhjet presidenciale, tha Gjykata e Apelit.

“Ai po vepron si dikush që e synon zyrën [e presidentit], jo si dikush që është në zyre”, tha gjykatësi Sri Srinivasan.

Megjithatë, gjykata ka thënë se vendimi i saj nuk është domosdo fjala e fundit për çështjen e imunitetit presidencial, duke ia lënë hapur derën Trumpit për ta vazhduar luftën për këtë çështje.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG