Ndërlidhjet

Gjykata urdhëron USAGM-në t’i ndalë veprimet për mbylljen e REL-it


Mikrofonë me logon e Radios Evropa e Lirë.
Mikrofonë me logon e Radios Evropa e Lirë.

Një gjykatë amerikane e ka pranuar një kërkesë të Radios Evropa e Lirë (REL) për një urdhër të përkohshëm ndalimi në kuadër të padisë së saj kundër Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Media Globale (USAGM), lidhur me ndërprerjen e fondeve të Kongresit për REL-in.

Gjykata e distriktit në Uashington ka thënë në vendimin e 25 marsit se agjencia ka të ngjarë të ketë vepruar në mënyrë “arbitrare dhe kapriçioze” kur ia ka ndërprerë grantin Radios Evropa e Lirë, dhe që këto veprime do t’i shkaktonin transmetuesit “dëm të pariparueshëm”, nëse do të finalizoheshin.

Gjykatësi Royce Lamberth ka shkruar në vendimin prej 10 faqesh se masa e një urdhri të përkohshëm ndalimi është e nevojshme për të penguar mbylljen, pasi duket se Radio Evropa e Lirë ka mundësi të fitojë rastin në seancë gjyqësore, dhe për faktin që vazhdimësia e veprimeve të USAGM-it deri në marrjen e vendimit përfundimtar për grantin e REL-it, do t’i shkaktonte transmetuesit “dëm të pariparueshëm”.

Mes tjerash është thënë se marrja e një vendimi të tillë është në të mirë të interesit publik.

“Udhëheqja e USAGM-së nuk mundet që me një fjali, pa ofruar sqarime, të detyrojë mbylljen e Radios Evropa e Lirë – edhe nëse presidenti ka kërkuar të njëjtën gjë”, është thënë në vendimin e gjyqtarit Lamberth.

Hapi i radhës do të jetë vendimi lidhur me kërkesën e REL-it për një urdhër paraprak, përmes së cilit kërkon nga USAGM-ja t’ia lëshojë 77 milionë dollarë që Kongresi i ka miratuar për Radion Evropa e Lirë për vitin fiskal 2025, i cili përfundon më 30 shtator.

Gjykata pritet të vendosë në javët në vazhdim.

Rrezikimi i fondeve për këtë transmetues ka nxitur një valë mbështetjeje nga vëzhgues mediash, analistë dhe avokues të demokracisë, si dhe nga audiencat në 23 vende ku transmeton Radio Evropa e Lirë.

Lamberth e ka pasur parasysh këtë fakt në vendimin e tij, duke shkruar se prej vitit 1950, Qeveria e ka mbështetur REL-in si mjet për ofrim të “lajmeve të besueshme dhe relevante për audiencat që i janë nënshtruar propagandës komuniste”.

“Ne vlerësojmë vendimin e gjyqtarit Lamberth për t’ia parandaluar USAGM-së injorimin e vullnetit të Kongresit. Do të ecim përpara për të avancuar rastin tonë, meqë është jokushtetuese që të mohohen fondet që Kongresi ka ndarë për REL-in për pjesën e mbetur të vitit fiskal”, ka thënë presidenti i Radios Evropa e Lirë, Stephen Capus, pas marrjes së vendimit.

“Vendimi çon mesazh të fuqishëm për gazetarët tanë në gjithë botën, misioni i tyre, sipas Kongresit, është i vlefshëm dhe duhet të vazhdojë. Për 75 vjet, Radio Evropa e Lirë ka qenë e lidhur ngushtë me interesat e sigurisë kombëtare amerikane, duke luftuar censurën dhe propagandën në disa prej shoqërive më të shtypura në botë”.

USAGM ka marrë vendim më 15 mars për të ndërprerë gratin për Radion Evropa e Lirë, disa orë pas një urdhri ekzekutiv të nënshkruar nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili ka bërë thirrje për shkurtime në shtatë agjenci – përfshirë USAGM-në – në “maksimum, në përputhje me ligjet”.

Shkëputja e grantit i është komunikuar kompanisë përmes një letre të nënshkruar nga Kari Lake, e cila e ka përshkruar veten si “Këshilltare e lartë e udhëheqësit ekzekutiv të USAGM-së me autoritet të deleguar nga ushtruesi i detyrës së udhëheqësit ekzekutiv”.

Gjyqtari Lamberth ka thënë se USAGM ka dështuar që të japë arsyetim racional për vendimin për të shkëputur grantin.

Gjatë një seance gjyqësore më 24 mars, USAGM ka thënë se ka marrë “hapa të menjëhershëm administrativë” për të iniciuar lëshimin e 7.46 milionë dollarëve për REL-in, për periudhën që ka operuar në mars, para se të merrej vendimi nga Lake.

Jiri Pehe, analist politik çek dhe drejtor i qendrës akademike në Universitetin e Nju Jorkut në Pragë, ka qenë një prej figurave që ka ndihmuar në shpërnguljen e REL-it nga Munihu në selinë aktuale në Pragë, pas rënies së Perdes së Hekurt.

Pehe ka qenë këshilltar i lartë i presidentit të atëhershëm Vaclav Havel, kur ai e ka hapur rrugën për këtë lëvizje.

“Nëse mbyllet Radio Evropa e Lirë, shumë njerëz në shtetet ku vepron ajo, nuk do të mund të kenë më qasje në lajme alternative. Natyrisht, njerëzit do të tentojnë të kenë qasje diku tjetër në llojin e informacionit që ofron REL-i, mirëpo REL-i ofron lajme që në këtë kohë janë shumë të rëndësishme për të ofruar alternativë, përveç burimeve zyrtare të lajmeve”, ka thënë Pehe për Radion Evropa e Lirë.

“Mbyllja e REL-it do të tregonte se Shtetet e Bashkuara, që deri më tani kanë udhëhequr botën e lirë, nuk janë më të interesuara në luftën për demokraci dhe liri në shtetet që nuk ka demokraci dhe liri”, ka shtuar ai.

Prej publikimit të letrës së Lake, lexues dhe dëgjues prej vendeve të ndryshme, përfshirë Iranin, Bjellorusinë, Afganistanin, Rusinë, Pakistanin dhe Ukrainën, kanë lavdëruar punën e gazetarëve të Radios Evropa e Lirë për raportimet e tyre të guximshme dhe të paanshme nga linja e frontit, në disa prej hapësirave me situatë politike shtypëse, si dhe janë shprehur të shqetësuar nga mundësia e mbylljes.

Reagimet në Kosovë për mbylljen eventuale të REL-it

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë riafirmoi rolin thelbësor të Radios Evropa e Lirë në promovimin e gazetarisë së besueshme në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor.

Zëdhënësja Ioanna Lachana tha se nga ndalja e punës së REL-it do të përfitonin “vetëm ata që përhapin narrativë përçarës”.

Ambasada gjermane në Kosovë e përshkroi REL-in si “fener të raportimit të lirë dhe të paanshëm” dhe konfirmoi se BE-ja po shqyrton mënyra për ta mbështetur atë.

Për eksperten kosovare të medias, Flutura Kusari, ndërprerja e fondeve për REL-in paraqet një goditje serioze mbi informimin publik.

“Radio Evropa e Lirë është shembull i gazetarisë së përgjegjshme në Kosovë”, tha Kusari, këshilltare ligjore pranë Qendrës Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias.

Ish-kryeredaktori i programit për Kosovën në Radion Evropa e Lirë, Melazim Koci, tha se mbyllja e mundshme e REL-it do të ishte një “fatkeqësi” për lirinë e medias dhe demokracinë.

Ndërsa, gazetari dhe publicisti Enver Robelli e vlerësoi REL-in si një prej burimeve më të besueshme të informacionit për botën shqiptare.

Lake është nominuar nga Trumpi për të mbikëqyrur Zërin e Amerikës, ndonëse nominimi i saj duhet të miratohet nga Bordi Këshillues për Transmetime Ndërkombëtare (IBAB).

Anëtarët e këtij bordi të themeluar nga Kongresi, për të mbikëqyrur aktivitetet e USAGM-së, janë shkarkuar nga administrata amerikane në janar dhe nuk janë zëvendësuar.

Trump ka ndërmarrë një mori veprimesh për t’i shkurtuar shpenzimet prej kur e ka marrë detyrën në janar, dhe e ka kritikuar USAGM-në për përmbajtjen që kanë transmetuar entitetet gjatë mandatit të tij të parë presidencial.

Me një të ardhme të paqartë për Radion Evropa e Lirë, politikanë të Bashkimit Evropian janë duke shqyrtuar mundësinë e mbështetjes së transmetuesit.

USAGM është agjenci e pavarur e Qeverisë amerikane që mbikëqyr transmetuesit të cilët publikojnë në 60 gjuhë dhe depërtojnë te 400 milionë njerëz çdo javë.

Buxheti total i kërkuar për USAGM-në për vitin fiskal 2025 ka qenë 950 milionë dollarë, për t’i financuar të gjitha operacionet dhe investimet kapitale.

Aty përfshihen Radio Evropa e Lirë, Zëri i Amerikës, Radio Azia e Lirë, Zyra e Transmetuesit për Kubën, Rrjeti i Transmetuesve për Lindje të Mesme dhe Fondi për Teknologji të Hapur.

Buxheti i kërkuar për Radion Evropa e Lirë për vitin 2025 ka qenë rreth 153 milionë dollarë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG