Ndërlidhjet

Tre të dyshuarve për vrasjen e Liridona Ademajt u vazhdohet paraburgimi për dy muaj


Gjatë protestës pas vrasjes së Liridona Ademajt.
Gjatë protestës pas vrasjes së Liridona Ademajt.

Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj, Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, të dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt në nëntor të vitit 2023.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë bashkëpunëtorja profesionale në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Medina Gashi.

“Ju informoj se të pandehurve N.M, G.P dhe K.K iu është vazhduar masa e paraburgimit për dy muaj me Aktvendimin e datës 23.08.2024, e cila masë do t'iu llogaritet nga data 26.08.2024 deri me datë 25.10.2024, nën kushtet ligjore të parapara në KPPK”, tha Gashi nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim.

Liridona Ademaj u vra në moshën 30-vjeçare, më 29 nëntor të vitit të kaluar, në rrugën "Dalip Alshiqi" në Prishtinë.

Fillimisht, Policia e Kosovës, e kishte raportuar rastin si “grabitje me pasoja të vrasjes”.

Por, dy ditë më vonë, më 1 dhjetor 2023, Policia njoftoi për arrestimin e dy personave, në mesin e të cilëve edhe bashkëshorti i saj, Naim Murseli.

Nga viti 2010 deri më tani në Kosovë janë vrarë rreth 60 gra.

Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna. Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG