Ndërlidhjet

Gjykata Supreme e SHBA-së ruan qasjen te pilula për abort


Grupet pro-abortit duke protestuar para Gjykatës Supreme të SHBA-së. Fotografi nga arkivi.
Grupet pro-abortit duke protestuar para Gjykatës Supreme të SHBA-së. Fotografi nga arkivi.

Gjykata Supreme amerikane ka ruajtur qasjen te një pilulë që zakonisht përdoret për abort, duke vendosur që ky ilaç të mbetet i disponueshëm, teksa çështja ligjore po vazhdon.

Në vendimin e gjykatës po ashtu u hodhën poshtë kufizimet për përdorimin e mifepristone [pilulë që merret në fillim të shtatzënisë për të shkaktuar abort] që ishin vendosur nga një gjykatë më e ulët, duke ruajtur në thelb status quo-në.

Përdorimi i kësaj pilule ishte kontestuar pasi një gjykatës në Teksas kishte kërkuar që të hidhte poshtë vendimin për përdorimin e saj.

Vendimi për përdorimin e kësaj pilule vjen pasi Gjykata Supreme – që ka një shumicë konservative prej 6 me 3 – vitin e kaluar përmbysi vendimin e njohur si Roe v Wade, duke i dhënë fund garancisë mbarëkombëtare për abortin dhe duke u dhënë fuqinë shteteve për të ndalur procedurën e abortit.

Pas vendimit të Supremes, çështja për përdorimin e pilulës mifepristone kthehet në Gjykatën e Apelit.

Ka shumë të ngjarë që ky rast të rikthehet sërish në Gjykatën Supreme.

Mifepristone është pjesë e një regjimi prej dy ilaçesh që përdoren për më shumë se gjysmën e aborteve që kryhen në Shtetet e Bashkuara. Kjo pilulë është përdorur nga më shumë se 5 milionë gra në SHBA që i kanë dhënë fund shtatzënive të tyre.

Pilula fillimisht ishte miratuar për përdorim nga Administrata amerikane për Ushqim dhe Barna (FDA) mbi 20 vjet më parë. Kjo administratë e ka vendosur mifepristone-in në kategorinë e 60 ilaçeve që rregullisht iu nënshtrohen kufizimeve shtesë dhe për to kryhen vlerësime të rregullta.

Disa prej organizatave kryesore shëndetësore, përfshirë edhe Kolegjin Amerikan të Obstetrikës dhe Gjinekologëve dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë, kanë thënë se pilula e abortit është e sigurt dhe efektive.

Por, më herët gjatë këtij muaji gjykatësi nga Teksasi, Matthew Kacsmaryk, vendosi që të pezullojë miratimin e Administratës për Ushqim dhe Barna për mifepristone, duke thënë se kjo administratë ka shkelur rregullat federale duke lejuar miratimin e përshpejtuar të disa ilaçeve dhe kishte një vlerësim të gabuar shkencor për këtë ilaç.

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, apeloi këtë vendim dhe kërkoi nga gjykata në Teksasi mos ta zbatonte vendimin deri te vendimi i një gjykate më të lartë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG