Gjyqtari australian, Anthony Kelly, ka shtyrë për javën e ardhshme shqyrtimin e apelit të tenistit Novak Gjokoviq lidhur me dëbimin e tij nga shteti, ndërkohë që vazhdojnë diskutimet lidhur me një përjashtim që do mund t’i mundësonte atij garën në turneun, Australian Open.
Tenisti serb, 34-vjeçar, njëherësh kritik publik i vaksinave, do të kalojë edhe një natë i mbyllur në një dhomë hoteli në Melbërn, ku ka qëndruar prej kur autoritetet australiane i kanë refuzuar një dokument mjekësor që i mundësonte shmangien e kufizimeve për koronavirus, në mënyrë që të hynte në këtë shtet.
Gjyqtari Kelly fillimisht ka thënë se një gabim në dosje ka shtyrë vendimin rreth kërkesës së Gjokoviqit kundër dëbimit.
Turneu australian, që shikohet nga qindra miliona shikues në botë, ishte planifikuar që të niste më 17 janar.
Gjokoviq, kampion i 20 titujve Grad Slam, ka fituar në tri edicionet e fundit të Australian Open.
Ai ka folur vazhdimisht kundër vaksinimit kundër koronavirusit, mirëpo nuk e ka bërë të ditur kurrë statusin e tij të imunizimit.
Njoftimi i Gjokoviqit se ka siguruar një përjashtim dhe se do të niset drejt Melbërnit, është pritur me zemërim nga disa australianë, të cilët kanë qenë shumë të kufizuar prej kur ka shpërthyer pandemia.
Rivali i Gjokoviqit, spanjolli Rafael Nadal, ka thënë se, disi i vjen keq për të, mirëpo “ai i ka ditur kushtet tash e sa muaj”.
“Ai ka marrë vendimet për veten, dhe secili është i lirë të marrë vendime për veten, mirëpo më pas ka pasoja”, ka thënë Nadal.
Nadal, Gjokoviq dhe tenisti zviceran, Roger Federer – i cili nuk do të garojë në Australi – kanë nga 20 tituj Gram Slam, secili.