Ndërlidhjet

Gjykata ruse lë në fuqi dënimin ndaj ushtarit amerikan Gordon Black


Ushtari amerikan, Gordon Black.
Ushtari amerikan, Gordon Black.

Një gjykatë në Vlladivostok, në rajonin e largët lindor të Rusisë, e ka refuzuar ankesën e avokatit të rreshterit të ushtrisë amerikane, Gordon Black, ndaj dënimit të tij me tre vjet e nëntë muaj burgim, nën akuzat për vjedhje dhe kërcënim për të vrarë.

Black, i cili ka qenë në detyrë në Korenë e Jugut, është arrestuar në maj në Vlladivostok, ku ka udhëtuar për t’u takuar me një grua ruse, me të cilën ka qenë në lidhje romantike.

Black, 34-vjeçar, është akuzuar për vjedhje dhe për kërcënim me vrasje kundër asaj gruaje, e cila e ka paditur atë.

Më 19 qershor, një gjykatë në Vlladivostok e ka shpallur atë fajtor dhe e ka dënuar me tre vjet e nëntë muaj burgim.

Avokati i Blackut ka thënë më 19 gusht se do ta apelojë vendimin e gjykatës rajonale.

Përgjatë seancës, mbrojtja e Blackut ka argumentuar se gjyqi i parë ndaj tij ka qenë i padrejtë dhe janë keqinterpretuar veprimet e tij.

Sipas gjykatës, Black ka jetuar me gruan ruse, Aleksandra Vashchuk në Vlladivostok prej prillit.

Në maj, ata kanë pasur një mospajtim, përgjatë të cilit, i pandehuri e ka kapur gruan për qafe, “çka ajo e ka parë si kërcënim për jetën e vet”.

Meqë nuk ka pasur para, Black i ka marrë 112 dollarë prej kuletës së Vashchukut, të cilët i ka shpenzuar në një dhomë të hotelit, ku edhe është ndaluar.

Agjencia e lajmeve Associated Press ka thënë se Black ka qenë në përfundim të shërbimit të tij në Korenë e Jugut dhe ishte planifikuar të kthehej në Teksas, kur papritur ka udhëtuar në Rusi.

Black është njëri prej dhjetëra shtetasve amerikanë që mbahen në burgjet ruse për arsye të ndryshme.

Ksenia Karelina, me shtetësi ruse dhe amerikane, është dënuar me 12 vjet burgim, më 15 gusht, pasi një gjykatë ruse e ka shpallur fajtore për tradhti, pse ka dhënë donacion prej 51 dollarësh për një organizatë bamirëse që mbështet Ukrainën.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG