Ndërlidhjet

Burgim i përjetshëm për të akuzuarin për vrasjen e bashkëshortes në Pejë


Fotografi ilustruese nga arkivi.
Fotografi ilustruese nga arkivi.

Gjykata Themelore në Pejë ka dënuar me burgim të përjetshëm Edmond Lajqin, të akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Gj.U.

Në shqiptimin e dënimit, gjykatësi Musë Povataj tha se Lajqi ka kryer veprën “vrasje e rëndë”, ndërkaq për armëmbajtje pa leje, i akuzuari nuk është dënuar derisa të konfiskohet arma me të cilën është kryer krimi.

Vendimi është mirëpritur nga familja e të ndjerës. Vëllai i saj Shpat Ukella tha se ky dënim ua lehtësoi "sado pak dhimbjen".

Më 16 prill të këtij viti, Lajqi kishte vrarë bashkëshorten e tij me armë zjarri në banesën e tyre në Pejë. Pas aktit, ai ishte vetëdorëzuar në Polici të Kosovës.

Lajqi e pranoi fajësinë gjatë seancës gjyqësore më 24 dhjetor.

Aktakuza ndaj tij ishte ngritur në nëntor të këtij viti dhe në të thuhej se vrasja ishte kryer mëngjesin e 16 prillit.

Sipas aktakuzës, Lajqi kishte pasur probleme të vazhdueshme me bashkëshorten e tij, tashmë të ndjerën, Gj.U, dhe i njëjti thuhet se kishte ushtruar dhunë psikike ndaj saj.

Organizatat për të drejtat e njeriut dhe institucionet kanë ngritur shpesh shqetësimet për dhunën ndaj grave dhe në shtet organizohen edhe fushata për luftimin e dhunës ndaj grave.

Sipas të dhënave, në 14 vjetët e fundit në Kosovë janë vrarë 58 gra.

Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna. Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG