Ndërlidhjet

Gjykata Kushtetuese e Bosnjës pezullon përkohësisht Ligjin për Zgjedhjet të Republikës Sërpska


Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Bosnje-Hercegovinës.
Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Bosnje-Hercegovinës.

Gjykata Kushtetuese e Bosnje-Hercegovinës e ka pezulluar Ligjin për Zgjedhjet të Republikës Sërpska, njërin prej dy entiteteve në këtë vend.

Gjykata ka thënë në vendim se ky ligj, që është miratuar nga Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska, më 9 prill, është pezulluar përkohësisht, derisa të merret një vendim përfundimtar për të.

Vendimi është marrë pas kërkesës ndaj gjykatës për të vlerësuar nëse ligji është në përputhje me Kushtetutën e Bosnje-Hercegovinës.

Kërkesën e ka bërë Denis Zvizdiq, zëvendëskryetari i parë i Dhomës së Përfaqësuese të Parlamentit të Bosnjës.

Ligji për Zgjedhjet i Republikës Sërpska rregullon çështje që veçse janë të rregulluara me Ligjin për Zgjedhjet të Bosnje-Hercegovinës, dhe me këtë ligj, kompetencat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i transferohen Komisionit të entitetit, dhe kështu dispozitat e Ligjit për Zgjedhjet të Bosnjës, bëhen të pavlefshme, është thënë në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në vendim është thënë, po ashtu, se është e domosdoshme të gjendet një përgjigje nëse Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska, ka autoritet për të rregulluar çështje që veçse janë të rregulluara në nivel shtetëror.

Gjykata Kushtetuese e Bosnjës ka thënë se rregullimi i zgjedhjeve përbën një prej fushave kyçe për të garantuar zgjedhje të lira, të drejta dhe transparente, të cilat reflektojnë vullnetin e qytetarëve.

Zgjedhjet lokale në Bosnje-Hercegovinë janë planifikuar të mbahen më 6 tetor të këtij viti.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG