Ndërlidhjet

Gjykata e Strasburgut: Kombet konstituive në Bosnjë të privilegjuara - sistemi zgjedhor jodemokratik


Një person duke votuar gjatë zgjedhjeve të përgjithsme në Bosnjë dhe Hercegovinë më 2022.
Një person duke votuar gjatë zgjedhjeve të përgjithsme në Bosnjë dhe Hercegovinë më 2022.

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg tha të martën se kombet konstituive në Bosnjë e Hercegovinë gëzojnë pozitë të privilegjuar në sistemin e tanishëm, i cili e minon karakterin demokratik të zgjedhjeve.

Sipas Kushtetutës së Bosnjës e Hercegovinës, kombet konstituive janë boshnjakët, serbët dhe kroatët.

Gjykata e mori këtë vendim pas një ankese nga Slaven Kovaçeviq, pasi gjeti se të drejtat e tij ishin shkelur dhe se ai ishte diskriminuar, për shkak se nuk i lejohej të votonte për kandidatët për Dhomën e Popullit të Asamblesë Parlamentare të Bosnjës e Hercegovinës, dhe për anëtarët e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës të cilët nuk janë pjesë e kombeve konstituive dhe nuk jetojnë në një entitet të caktuar.

Kovaçeviq u ankua se e drejta e tij për të votuar kërcënohet duke qenë se si një person që jeton në entitetin e Federatës së Bosnjës e Hercegovinës, ai mund të votojë ekskluzivisht për kroatët dhe boshnjakët në zgjedhjen e anëtarëve të Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës.

Sipas Kushtetutës së Bosnjës e Hercegovinës, tre anëtarë emërohen në Presidencën e Bosnjës e Hercegovinës “një boshnjak dhe një kroat nga entiteti i Federatës së Bosnjës e Hercegovinës” dhe “një serb nga entiteti i Republikës Sërpska”, i cili është kriter që ua ndalon hebrenjve, romëve dhe të tjerëve të garojnë për poste dhe për anëtarë të Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, dhe për delegatë për Dhomën e Popullit të Asamblesë Parlamentare të Bosnjës e Hercegovinës, pjesë e të cilës janë nga pesë boshnjakë, kroatë dhe serbë.

Në vendimin e 29 gushtit, Gjykata e Strasburgut gjeti se kombinimi i pretendimeve territoriale dhe etnike përbën diskriminim.

“Ky aranzhim i tanishëm i jep përparësi përfaqësimit etnik para atij politik, ekonomik, shoqëror, filozofik apo faktorëve të tjerë, duke i forcuar ndarjet etnike në vend dhe duke e minuar karakterin demokratik të zgjedhjeve”, tha Gjykata e Strasburgut.

Gjykata nënvizoi se Presidenca është organ politik, jo entitet. Vendimet dhe politikat e saj janë për të gjithë qytetarët e Bosnjës e Hercegovinës, pavarësisht se a jetojnë ata në Federatën e Bosnjës, Republikën Sërpska apo në qarkun e Brçkos.

Ajo, po ashtu, theksoi se ekzistenca e Dhomës së Popullit e përbërë vetëm nga përfaqësuesit e tri grupeve mbizotëruese etnike, do të ishte e pranueshme në kontekstin e Bosnjës e Hercegovinës, vetëm nëse pushteti i saj kufizohet përcaktimin strikt dhe të ngushtë të interesave nacionale të kombeve konstituive.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG