Ndërlidhjet

GJND: Prania e Izraelit në territoret e pushtuara palestineze është e paligjshme


Paneli i gjyqtarëve të GJND-së gjatë dhënies së mendimit për territoret e pushtuara palestineze. 19 korrik 2024.
Paneli i gjyqtarëve të GJND-së gjatë dhënies së mendimit për territoret e pushtuara palestineze. 19 korrik 2024.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) tha më 19 korrik se prania e Izraelit në territoret e pushtuara palestineze është “e paligjshme”, duke bërë thirrje që t’i jepet fund menjëherë ndërtimit të vendbanimeve.

Ky është një dënim i paprecedent i lëshuar nga GJND-ja, lidhur me sundimin e Izraelit mbi tokat që i ka pushuar 57 vjet më parë.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, menjëherë dënoi mendimin – që nuk është ligjërisht i obligueshëm – i lëshuar nga një panel prej 15 gjyqtarësh të GJND-së. Ai tha se territoret janë pjesë e “atdheut” historik të popullit hebre.

Mendimi i lëshuar nga gjyqtarët e GJND-së mund të ndikojë në opinionin ndërkombëtar dhe të nxisë lëvizje për njohjen e njëanshme të një shteti palestinez.

Gjykatësit përmendën një listë të gjatë të politikave, përshirë edhe ndërtimin dhe zgjerimin e vendbanimeve izraelite në Bregun e pushtuar Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, përdorimin e burimeve natyrore në këto zona, aneksimin dhe vendosjen e kontrollit të përhershëm ndaj tokave dhe politikave diskriminuese ndaj palestinezëve. Të gjitha këto, thanë gjyqtarët, përbëjnë shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Gjykata tha se Izraeli nuk ka të drejtë të sovranitetit në këto territoret. Po ashtu tha se shteti po shkel ligjet ndërkombëtare, që ndalojnë marrjen e territoreve me forcë dhe po ashtu akuzoi Izraelin se po pengon të drejtën e palestinezëve për vetëvendosje. GJND-ja tha se shtetet e tjera janë të obliguara “t’i japin ndihmë” që Izraeli të mbajë praninë e tij në territoret palestineze. Po ashtu, Izraeli duhet t’i japë fund menjëherë ndërtimit të vendbanimeve, ndërkaq vendbanimet ekzistuese duhet të largohen, u tha në përmbledhjen e opinionit prej mbi 80 faqesh, që u lexua nga presidenti i gjykatës, Nawaf Salam.

“Abuzimi nga Izraeli i statusit të tij si fuqi pushtuese” e bën “praninë e tij në territoret e pushtuara palestineze të paligjshme”, tha gjykata, duke shtuar se prania e Izraelit duhet të marrë fund “sa më shpejt që të jetë e mundur”.

A mund të ketë shtet palestinez?
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:10:55 0:00

Mendimi i gjykatës, që u kërkua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara pas kërkesës së palestinezëve, vjen teksa Izraeli po vazhdon ofensivën e tij ushtarake në Gazë.

Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi Izraelin më 7 tetor, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 38.000 palestinez.

GJND-ja po ashtu po trajton një rast të ndarë të ngritur nga Afrika e Jugut e cila pretendon se fushata ushtarake e Izraelit në Gazë përbën gjenocid. Por, një akuzë e tillë mohohet nga Izraeli.

Izraeli ka pushtuar Bregun Perëndimor, Jerusalemin Lindor dhe Rripin e Gazës gjatë Luftës së Lindjes së Mesme më 1967. Palestinezët duan në këto tri zona në të ardhmen të krijojnë një shtet të tyre të pavarur.

Izraeli e konsideron Bregun Perëndimor si një territor të diskutueshëm, e ardhmja e të cilit duhet të vendoset përmes negociatave, teksa ka zhvendosur popullatën në vendbanimet që ka ndërtuar atje. Izraeli ka aneksuar Jerusalemin Lindor, por kjo lëvizje nuk njihet ndërkombëtarisht, ndërkaq më 2005 është tërhequr nga Rripi i Gazës. Më 2007, kontrollin mbi këtë territor e mori Hamasi.

Komuniteti ndërkombëtar në përgjithësi i konsideron të tri zonat si territore të pushtuara.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG