Ndërlidhjet

Ligjvënësi izraelit: Shpresoj që GJND-ja t’i japë fund luftës në Gazë


Bombardimet izraelite në Han Junis të Rripit të Gazës më 8 janar 2024.
Bombardimet izraelite në Han Junis të Rripit të Gazës më 8 janar 2024.

Ligjvënësi në Knesset – Parlamentin izraelit – Ofer Casif, i cili ka nënshkruar peticionin për mbështetjen e rastit që Afrika e Jugut ka dërguar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) kundër Izraelit, tha se shpreson që gjykata të marrë vendimin e duhur për t’i dhënë fund luftës.

GJND-ja më 11 janar hapi seancën dyditore në rastin e ngritur nga Afrika e Jugut, e cila e akuzoi Izraelin për gjenocid në luftën e tij në Gazë.

Në një intervistë për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë, Casif, tha se ka mbështetur peticionin për rastin e ngritur nga Afrika e Jugut në mënyrë që të hetohet nëse ka pasur krime të gjenocidit në Gazë.

“Dua të theksoj se unë nuk po them në mënyrë kategorike se Izraeli është përgjegjës për gjenocid apo për ndonjë krim tjetër botëror. Por, dua të them se nuk është vetëm legjitime, por është domosdoshmëri që të hetohet nëse ka pasur krime të tilla. Dhe unë e nënshkrova peticionin për këtë arsye”, tha ai.

“E dyta, që është më e rëndësishmja, GJND-ja ka të drejtë dhe ka autoritet të vendosë nëse lufta duhet të ndalet menjëherë. Dhe sigurisht unë shpresoj që kjo do të ndodhë në mënyrë që të shpëtohen jetë, mijëra e mijëra palestinezë të cilët po përballen me sulmin e vazhdueshëm të Izraelit, por edhe pengjet izraelite që duhet të lirohen menjëherë”, tha ai.

Casif, i cili vjen nga partia Hadash-Ta’al, tha se ka disa pengesa që duhet të kalohen për t’i dhënë fund luftës.

“E para, shpresoj që GJND-ja të marrë vendimin e duhur, që sipas meje është dhënia fund e luftës. Ky është qëllimi kryesor, por në parim Izraeli mund ta refuzojë këtë. Më pas çështja shkon në Këshillin e Sigurimit. Këshilli i Sigurimit mund të thotë se Izraeli duhet ta ndalë luftën. Nëse arrin puna deri këtu, unë mendoj se Këshilli i Sigurimit do të veprojë kështu. Problemi është, dhe pyetja më e madhe është nëse Shtetet e Bashkuara do të vendosnin veto në Këshill, nëse ky i fundit do të vendoste për këtë. Sepse ka shans që të ndodhë kështu”, tha ai.

Në GJND, avokatët për Afrikën e Jugut u kërkuan gjyqtarëve që të vendosin urdhra paraprakë detyrues ndaj Izraelit, duke përfshirë ndalimin e menjëhershëm të fushatës ushtarake të Izraelit në Gazë.

Izraeli ka hedhur poshtë akuzën për gjenocid. Ekipi ligjor i Izraelit do të ketë tri orë kohë, të premten në mëngjes, për të hedhur poshtë akuzat.

Vendimi i GJND-së ka të ngjarë të marrë javë të tëra.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, publikoi një video-deklaratë të mërkurën mbrëma duke mbrojtur veprimet e vendit të tij.

"Izraeli nuk e ka ndërmend të pushtojë përgjithmonë Gazën ose ta zhvendosë popullsinë e tij civile", tha ai duke shtuar se:

"Izraeli po i lufton terroristët e Hamasit, jo popullsinë palestineze, dhe ne po e bëjmë këtë në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar”.

Ai tha se ushtria izraelite "po bën të pamundurën për të minimizuar viktimat civile, ndërsa Hamasi po bën çmos për t'i maksimizuar ato duke përdorur civilët palestinezë si mburoja njerëzore".

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – nisi më 7 tetor, pasi radikalët palestinezë sulmuan jugun e Izraelit. Ata vranë 1.200 persona dhe morën peng afër 240 të tjerë.

Izraeli është kundërpërgjigjur me sulme ajrore, tokësore dhe detare që kanë vrarë mbi 23.000 palestinezë dhe kanë shkatërruar pjesë të mëdha të Rripit të Gazës të banuar nga 2.3 milionë persona.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG