Ndërlidhjet

GJND-ja thotë se ka juridiksion në disa pjesë të rastit të ngritur nga Ukraina kundër Rusisë


Ndërtesa e GJND-së në Hagë të Holandës. 31 janar 2024.
Ndërtesa e GJND-së në Hagë të Holandës. 31 janar 2024.

Gjykata më e lartë e Kombeve të Bashkuara tha më 2 shkurt se ka juridiksion t'i dëgjojë shumicën e pjesëve në rastin e ngritur nga Ukraina kundër Rusisë pak pasi Moska nisi pushtimin në shkallë të plotë të fqinjit të saj pothuajse dy vjet më parë.

Rasti i ngritur nga Kievi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në Hagë, akuzon Rusinë se ka shkelur Konventën e Gjenocidit të vitit 1948, duke pretenduar rrejshëm se pushtimi i 24 shkurtit të vitit 2022, u nis në mënyrë që të frenojë një gjenocid të supozuar ndaj rusishtfolësve në lindje të Ukrainës.

Në vendimin paraprak, gjykatësit e GJND-së urdhëruan Rusinë në mars të vitit 2022 që të ndalte pushtimin, por Moska e refuzoi vendimin, duke argumentuar se gjykata, që zgjidh mosmarrëveshjet ligjore të ngritura nga shtetet lidhur me pretendimet për shkelje të së drejtës ndërkombëtare, nuk kishte të drejtë ligjore për të vendosur për këtë rast.

Në shtatorin e vitit të kaluar, avokatët e Rusisë i kërkuan gjykatës që ta hidhte poshtë rastin, duke përsëritur qëndrimin se GJND-ja nuk ka juridiksion.

Gjykatësit i hodhën poshtë argumentet e Moskës se gjykata nuk ka juridiksion. Por, ata thanë gjithashtu se ajo nuk ka kompetenca për të vendosur për ankesën e Ukrainës se përdorimi i forcës nga Rusia ishte në kundërshtim me Konventën e Gjenocidit, e as nuk mund të marrë vendim për argumentet e Kievit se njohja e zonave separatiste nga Rusia në lindje të Ukrainës është shkelje e konventës.

Përderisa vendimet e GJND-së janë ligjërisht të obligueshme, gjykata nuk ka mjete që ato të zbatohen.

Në një rast të ndarë më herët gjatë kësaj jave, GJND-ja publikoi një vendim për një rast të ngritur nga Ukraina kundër Rusisë për financim të terrorizmit, rast që kishte të bënte me aktivitetet e Moskës dhe për “diskriminim racor” nga Rusia pasi Kremlini aneksoi paligjshëm Gadishullin e Krimesë më 2014.

Në vendimin e publikuar më 31 janar, gjykata tha se përderisa Moska ka shkelur traktatet kundër diskriminimit të OKB-së, duke dështuar që të mbrojë arsimin në gjuhën ukrainase në Krime, GJND-ja nuk u pajtua me pretendimin e Ukrainës se Rusia duhet ta kompensojë atë.

Gjykata po ashtu hodhi poshtë pretendimet e Ukrainës se Rusia ka diskriminuar tatarët etnikë dhe ukrainasit pas aneksimit të Krimesë.

Në përgjithësi, GJND-ja u pajtua me Ukrainën se Moska kishte shkelur dy nene të traktateve, por refuzoi të tjerat.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG