Ndërlidhjet

GJND thotë se ka juridiksion për të shqyrtuar rastet për Karabakun


Një panel i gjyqtarëve në GJND. Fotografi nga arkivi.
Një panel i gjyqtarëve në GJND. Fotografi nga arkivi.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) më 12 nëntor tha se ka juridiksion për të shqyrtuar rastet rivale të Armenisë dhe Azerbajxhanit lidhur me pretendimet e tyre për rajonin e Nagorno-Karabakut.

“Gjykata ka juridiksion” për të shqyrtuar rastet e paraqitura në shtator të vitit 2021, u tha në një deklaratë të lëshuar nga GJND-ja. Vendimi i panelit nga 17 gjykatës për këtë rast ishte unanim.

GJND-ja, me seli në Hagë, po ashtu ka vendosur në favor të Armenisë lidhur me dy kundërshtime që kishte, por ka refuzuar të tretin.

Në rastin e saj, Armenia pretendon se Azerbajxhani ka shkelur Konventën ndërkombëtare për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit racor dhe është angazhuar në “pastrim etnik” në rajon.

Azerbajxhani mohon këto pretendimet dhe ka ngritur një kundërpadi. Bakuja po ashtu akuzon Jerevanin për gjuhë të urrejtjes dhe propagandë “raciste”.

Rastet përmendin edhe veprimet që janë ndërmarrë në Nagorno-Karabak, një rajon malor brenda Azerbajxhanit, i populluar kryesisht nga armenët etnikë. Armenia dhe Azerbajxhani kanë zhvilluar dy luftëra, në vitet ’90 dhe më 2020, lidhur me kontrollin e enklavës.

Bakuja mori kontrollin e territorit në shtator të vitit 2023 përmes një ofensive njëditore, ofensivë që nxiti largimin e pothuajse gjithë popullsisë lokale etnike arme. Afër 100.000 armenë etnikë u larguan për në Armeni.

GJND-ja, që vendos për mosmarrëveshjet mes shteteve, lëshoi urdhra emergjentë në dhjetor të vitit 2021, duke u bërë thirrje palëve që të parandalojnë nxitjen dhe promovimin e urrejtjes racore.

Që atëherë, gjykata ka shqyrtuar një sërë mocionesh të dorëzuara nga të dyja shtetet kundër rasteve të njëri-tjetrit. Armenia iu drejtua sërish kësaj gjykate të Kombeve të Bashkuara më 2023, disa javë pasi Nagorno-Karabaku u mor nga Azerbajxhani.

Gjykata nuk tha se kur do të mbahet seanca për rastet e dy rivalëve. Por, një vendim përfundimtar pritet të marrë vite kohë.

Përderisa vendimet e GJND-së janë obligative, gjykata nuk ka mekanizma për t’i zbatuar vendimet e saj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG