Ndërlidhjet

SHBA-ja e bën përgjegjës Iranin për sulmet në cisternat e naftës


Shtetet e Bashkuara akuzojnë Iranin për sulmin në dy cisternat e naftës në Gjirin e Omanit.

Ushtria amerikane ka lëshuar një video, në të cilën ajo tregon Gardën Revolucionare të Iranit, duke hequr një minë të pashpërthyer në një cisternë të dëmtuar nga sulmet.

Zyrtarët amerikanë i thanë CNN-it, se Pentagoni në bazë të pamjeve, beson se përpjekja e forcave iraniane ishte të fshehin provat e përfshirjes së tyre.

Një foto e publikuar nga SHBA-ja ku tregohet dëmi i shkaktuar nga një eksplozivë, me gjasë minë në cisternën e naftës.
Një foto e publikuar nga SHBA-ja ku tregohet dëmi i shkaktuar nga një eksplozivë, me gjasë minë në cisternën e naftës.

Misioni i Iranit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara tha se "kundërshton pretendimin e pabazuar të SHBA-së" se ishte përfshirë në sulmet më të fundit në Gjirin e Omanit.

Më parë, ambasadori në detyrë i SHBA-së në OKB, Jonathan Cohen i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit që t’i përgjigjet "kërcënimit të qartë" që paraqet nga Teherani në rajon.

Sulmet "tregojnë kërcënimin e qartë që Irani paraqet për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare", u tha gazetarëve Cohen, pas takimit me dyer të mbyllura të Këshillit të Sigurimit.

Cohen, duke iu referuar sulmit në Gjirin e Omanit, tha se "asnjë grup në këtë zonë nuk ka burime apo aftësi për të vepruar me këtë nivel".

"Unë kam kërkuar nga Këshilli i Sigurimit të mbetet i angazhuar në këtë çështje dhe unë pres që të kemi biseda të mëtejshme rreth saj dhe si të përgjigjemi këtij incidenti në ditët e ardhshme", shtoi ai.

Cohen tha se Shtetet e Bashkuara do të mbrojnë forcat dhe interesat e saj në rajon, por ai nuk dha ndonjë detaj për masat që do të ndërmerren.

Më herët edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka akuzuar Iranin për sulmin në dy cisterna të naftës në Gjirin e Omanit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

Ai tha se vlerësimi është bërë në bazë të informacioneve për llojin e armëve të përdorura.

Shpërthimet në një nga rrugët ujore më të ngarkuara të naftës në botë, vijnë një muaj pasi katër depozita nafte u sulmuan në brigjet e Emirateve të Bashkuara Arabe.

SHBA-ja në atë kohë fajësoi Iranin, por Teherani i mohoi akuzat.

Çmimet e naftës i ngritën deri në 4 për qind pas incidentit të së enjtes.

Lidhur me incidentin e së enjten ka pasur reagime nga shumë vende të botës.

Sekretari i Jashtëm britanik Jeremy Hunt i tha BBC-së se "pika jonë fillestare është të besojmë" në pikëpamjen e SHBA-së se Irani duhet të fajësohet për sulmet e cisternave të naftës.

Ai i quajti sulmet "thellësisht shqetësuese" dhe tha se Britania do të bënte vlerësimin e vet për incidentin në ditët e ardhshme.

"Ne po e marrim këtë jashtëzakonisht seriozisht dhe mesazhi im për Iranin është se nëse ata janë përfshirë, kjo është një përshkallëzim që paraqet një rrezik real për perspektivat e paqes dhe stabilitetit në rajon", tha ai.

Në anën tjetër, Irani tha se veprimet e SHBA-së paraqesin një kërcënim serioz për stabilitetin në Lindjen e Mesme.

Rusia, përmes zëdhënësit të Kremlinit, Dmitri Peskov, tha se është shumë herët për të nxjerrë ndonjë përfundim mbi sulmet ndaj cisternave në Gjirin e Omanit për shkak të mungesës së informacionit.

Liga Arabe kërkoi reagimin e Këshillit të Sigurimit duke thënë se “disa palë në rajon po synojnë t'i vënë zjarrin rajonit”.

Në incidentin e së enjtes, dy depozita të naftës komerciale u goditën nga disa shpërthime dhe u përfshinë nga flakët në Gjirin e Omanit, duke nxitur evakuimin dhe shpëtimin e dhjetëra anëtarëve të ekuipazhit.

Operatorët e anijeve thanë se 21 anëtarë të ekuipazhit në bordin e transportueses japoneze dhe 23 të tjerë, në transportuesen norvegjeze, u evakuuan përmes disa anijeve të afërta pas shpërthimeve më 13 qershor.

Mediat iraniane njoftojnë se ushtria iraniane ka shpëtuar 44 anëtarë të ekuipazheve dhe i ka transferuar ata në një port iranian, një pretendim i kontestuar nga Shtetet e Bashkuara, e cila tha se marina e saj kishte ardhur në ndihmë duke shpëtuar ata.

Gjiri i Omanit është një ngushticë strategjike, përmes së cilës kalojnë qindra milionë dollarë naftë.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG