Ndërlidhjet

Merkel sërish u bën thirrje gjermanëve që të vaksinohen


Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel. Fotografi nga arkivi.
Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel. Fotografi nga arkivi.

Kancelarja në largim e Gjermanisë, Angela Merkel më 4 dhjetor u bëri thirrje gjermanëve që të vaksinohen kundër koronavirusit.

Këto komente Merkel i bëri përmes një video-mesazhi, që pritet të jetë i fundit që ajo e lëshon si kancelare e Gjermanisë. Kjo thirrje erdhi dy ditë pasi liderët federalë dhe shtetërorë vendosën mbi masat e reja, që kanë për qëllim të frenojnë një valë të re infektimesh me koronavirus.

Masat e reja përfshijnë përjashtimin e të pavaksiunuarve që të vizitojnë dyqanet jothelbësore, restorantet dhe objektet sportive dhe kulturore. Ndërkaq, Parlamenti do të shqyrtojë mundësinë që ta bëjë të detyrueshëm vaksinimin.

Të paktën 68.9 për qind të gjermanëve janë të vaksinuar plotësisht, që është shifër më e ulët sesa synimi i Qeverisë që të vaksinojë të paktën 75 për qind të popullsisë. Personat e pavaksinuar shihen si fajtorët kyçë në rritjen e rasteve të reja me COVID-19 gjatë javëve të fundit.

Shifrat zyrtare sugjerojnë se niveli i infektimeve është duke u stabilizuar, por ende është i lartë.

Të shtunën, Qendra kombëtare gjermane për Kontrollin e Sëmundjeve raportoi për 64,510 raste të reja. Sipas këtij institucioni, në shtatë ditët e fundit, niveli i infektimeve në 100,000 banorë ishte 442.7 raste. Ndërkaq, në 24 orët paraprake janë regjistruar edhe 378 vdekje të reja, duke e çuar në 102,946 numrin e përgjithshëm të viktimave që prej nisjes së pandemisë.

“Secili prej tyre lë pas familjet apo miqtë, të shtangur, pa fjalë dhe të pafuqishëm”, tha Merkel.

“Kjo është situatë e hidhur sepse është e shmangshme. Me vaksina efektive dhe të sigurta, ne kemi çelësin në duart tona”, shtoi ajo.

Merkel ripërsëriti thirrjen e saj që gjermanët ta marrin seriozisht virusin, duke shtuar se varianti i ri, Omicron “duket se është më ngjitës sesa variantet paraprake”.

“Vaksinohuni. S’ka rëndësi nëse e merrni dozën e parë apo dozën përforcuese. Çdo vaksinim ndihmon”, tha Merkel.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG