Ndërlidhjet

Gjermania rekomandon dozën përforcuese për të gjithë personat mbi 18 vjeç


Dozë vaksine kundër koronavirusit.
Dozë vaksine kundër koronavirusit.

Komiteti për Vaksina në Gjermani ka rekomanduar të enjten dozën përforcuese të vaksinës kundër koronavirusit për të gjithë personat mbi moshën 18-vjeçare.

Propozimi për vaksinat përforcuese u është dërguar ekspertëve dhe landeve gjermane për votim dhe shqyrtim të këtij dokumenti.

Gjermania ka thyer rekordin e saj sërish të enjten, 18 nëntor, pasi autoritetet e këtij shteti kanë regjistruar 65,371 raste të reja të infektimit me koronavirus gjatë 24 orëve.

Autoritetet shëndetësore gjermane kanë paralajmëruar se kjo shifër mund të dyfishohet apo trefishohet.

Kjo është hera e parë, prej shpërthimit të pandemisë, që Gjermania regjistron mbi 60,000 raste të reja brenda një dite.

Në të njëjtën kohë, udhëheqësi i Agjencisë Robert Koch, e cila merret me sëmundje infektive, Lothar Wieler, ka paralajmëruar se shifra e vërtetë e infektimeve mund të jetë shumë më e madhe.

Çfarë ka thënë Robert Koch për situatën me COVID në Gjermani?

Wieler ka thënë se beson që në Gjermani janë të infektuar “dyfish apo trefish”, më shumë persona, sesa që janë duke u raportuar.

“Ne jemi në situatë emergjente. Secili që refuzon ta shohë kështu situatën është duke bërë gabim të madh”.

Ai u ka bërë thirrje liderëve politikë që të marrin veprime të shpejta për të zvogëluar shkallën e infektimit.

“Ne do të kemi Krishtlindje shumë të këqija nëse nuk marrim kundërmasa tani”, ka paralajmëruar Wieler.

Ai ka shprehur zhgënjim edhe për politikën kundër COVID-19, sëmundjes që shkakton ky virus.

“Thjesht, nuk është më e durueshme që atë që kam thënë unë me kolegët e mi për 21 muaj, ndoshta nuk po pranohet”.

Wieler ka bërë thirrje për kufizime të kontakteve, mbyllje të klubeve të natës dhe restoranteve, si dhe qasje në restorante dhe hotele vetëm për personat që janë vaksinuar apo shëruar nga COVID-19.

Merkel do të takojë kryetarët e landeve

Deklarata e Wielerit u bë teksa kancelarja gjermane, Angela Merkel, u takua me 16 kryetarët e landeve të enjten, më 18 nëntor. Në këtë takim u mor vendim për masat e reja kundër pandemisë.

Masat e reja kaluan në Bundestag dhe pritet që të dërgohen të pretem edhe në Dhomën e Lartë të parlamentit, Bundesrat.

Në masa përfshihet kërkesa që punëdhënësit të kërkojnë nga punëtorët e tyre që të dëshmojnë se janë të vaksinuar, që e kanë kaluar COVID-19 apo të paraqesin test negativ me qëllim që të mund të hyjnë në zyra. Rregulla të ngjashme do të aplikohen edhe për përdorimin e transportit publik.

Shkalla e vaksinimit ka stagnuar, spitalet po mbushen

Shkalla e vaksinimit në Gjermani ka stagnuar nën 70 për qind në javët e fundit, shifër relativisht më e vogël në krahasim me pjesët tjera të Evropës Perëndimore.

Kancelarja Merkel ka kërkuar sërish të mërkurën që personat e pavaksinuar të marrin vaksina, duke thënë se “kur mjaftueshëm persona të vaksinohen, atëherë i ikim pandemisë”.

Spitalet kanë nisur të mbushen me pacientë në departamentin e kujdesit intensiv, ndërkohë që Gjermania përballet edhe me mungesë të personelit të trajnuar.

Pandemia izolon Evropën
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:06:47 0:00

Orët e gjata të punës, pagesat e vogla dhe stresi i shkaktuar gjatë pandemisë, kanë ndikuar që njerëzit ta braktisin punën në sistemin shëndetësor.

Vala e katërt e infektimeve është duke i ngarkuar spitalet edhe në vendet e tjera të Bashkimit Evropian.

Austria ka marrë vendim që të izolojë të pavaksinuarit si përgjigje ndaj rritjes së shkallës së infektimit.

Masat kufizuese për COVID-19, në Sllovaki dhe Republikën Çeke kanë rezultuar me protesta të njerëzve në rrugë teksa këto vende kanë shënuar Revolucionin e Kadifenjtë të vitit 1989, që ka çuar në rënien e komunizmit.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG