Ndërlidhjet

Gjermania fton BE-në të luftojë sanksionet e fundit kundër Rusisë


Parlamenti i Gjermanisë
Parlamenti i Gjermanisë

Ministrja gjermane e Ekonomisë, Brigitte Zypries, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian të luftojë sanksionet e reja të Shteteve të Bashkuara kundër Rusisë, pasi mund të dëmtohen çështjet biznesore me Rusinë.

Në legjislacionin e ri, që u miratua me shumicë votash nga Kongresi në SHBA, sanksionet përfshijnë edhe disa firme ruse të energjisë.

Ky legjislacion pritet të nënshkruhet nga presidenti amerikan Donald Trump.

Liderët evropianë kanë thënë se sanksionet e reja do të dëmtonin ekonomitë e tyre.

Dispozitat mund të ndikojnë në Evropë, ashtu që mund t’i lejojnë presidentit Trump të vendosë sanksione në bizneset e Perëndimit, të cilat punojnë me “Gazpromin” e Rusisë, për ndërtimin e gazsjellësit të dytë në mes të Rusisë dhe Gjermanisë, në shtratin e Detit Baltik. Ndryshe projekti njihet si Rrjedha Veriore 2.

Shumë thjeshtë, ne këto sanksione i konsiderojmë kundër ligjit ndërkombëtar”, ka thënë ministrja gjermane e Ekonomisë, Brigitte Zypries, në një intervistë për gazetën Funke Mediengruppe.

Amerikanët nuk mund të ndëshkojnë kompanitë gjermane sepse kanë interesa të biznesit në shtete tjera”, ka shtuar ajo.

Sigurisht që ne nuk duam luftë tregtare. Mirëpo është e rëndësishme që Komisioni Evropian po shqyrton mundësinë e kundërpërgjigjes”, ka thënë ndër të tjera Zypries.

Sipas saj, Berlini i ka përsëritur disa herë kërkesën Uashingtonit të mos përfshijë dispozita që prekin kompani evropiane, në kuadër të legjislacionit për sanksionimin e Rusisë, pas supozimeve se e ky vend ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA, për agresionin në Ukrainë dhe çështje tjera.

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ka paralajmëruar javën e kaluar se “nëse shqetësimet tona nuk merren parasysh mjaftueshëm, ne do të jemi të gatshëm të veprojmë brenda disa ditësh”, sapo dispozitat të fuqizohen.

SHBA-ja e kundërshton me vite linjën e dytë të tubacionit të gazit, duke thënë se një gjë e tillë vetëm do të rrisë varësinë e Evropës ndaj Rusisë për gaz natyral.

Mirëpo, ky legjislacion shënon herën e parë që Uashingtoni ka marrë hapa konkret për të kundërshtuar këtë gazsjellës.

Në kuadër të sanksioneve të reja përfshihen edhe disa mundësi inkurajuese për vendet evropiane për t’u furnizuar me gaz natyror të lëngshëm nga SHBA-ja, në vend që të varen nga Rusia.

Kjo të krijon përshtypjen se Shtetet e Bashkuara janë duke shikuar vetëm interesat e tyre ekonomike”, ka thënë udhëheqësi i dhomës gjermane për Industri dhe Tregti, Volker Triere.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel, ka paralajmëruar javën e kaluar se Gjermania nuk do të tolerojë sanksionet kundër kompanive evropiane që përfshihen në projektin Rrjedha Veriore 2.

Disa biznese gjermane janë duke shqyrtuar mundësinë e kundërpërgjigjes me sanksione kundër SHBA-së, nëse presidenti Trump miraton vënien e sanksioneve në kompanitë evropiane.

Ligjvënësit amerikanë e kanë modifikuar legjislacionin pas ankesave të liderëve evropianë, se i njëjti ishte shumë i dëmshëm për kompanitë që punojnë me Rusinë në projektin e Rrjedhës Veriore 2.

Rusia, në të njëjtën kohë është hakmarrë ndaj sanksioneve të këtij legjislacioni duke urdhëruar zvogëlimin e stafit diplomatik amerikan në Rusi.

Një ditë më parë, Shtëpia e Bardhë ka thënë së është duke shqyrtuar një përgjigje kundër urdhrit të Rusisë.

Nënpresidenti amerikan Mike Pence, i cili po viziton Evropën Lindore dhe Gjeorgjinë gjatë kësaj jave, ka thënë se “ne shpresojmë për ditë më të mira, për marrëdhënie më të mira me Rusinë”, pavarësisht planeve të Trumpit për të nënshkruar sanksionet në legjislacion.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG