Ndërlidhjet

Kancelari gjerman pezullon procesin e certifikimit të Rrjedhës Veriore 2 


Kancelari gjerman, Olaf Scholz.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë se shteti i tij do të pezullojë procesin e certifikimit të gazsjellësit kontrovers, Rrjedha Veriore 2, pas veprimeve të fundit të Moskës në Ukrainë.

Ky projekt synon dërgimin e gazit rus në Gjermani.

Scholz u ka thënë gazetarëve më 22 shkurt se ai ka kërkuar të pezullohet procesi i rishikimit të projektit nga një rregullator gjerman.

Projekti kap vlerën e 11 miliardë dollarëve.

“Kjo tingëllon teknike, mirëpo është hap i nevojshëm administrativ, ashtu që të mos ketë certifikim të gazsjellësit, dhe pa certifikim Rrjedha Veriore 2 nuk mund të funksionalizohet”, ka thënë ai.

Ende nuk është bërë e qartë sa do të pezullohet ky proces.

Puna për ndërtim të gazsjellësit ka përfunduar, mirëpo ende nuk ka nisur punën, meqë është në pritje të certifikimit.

Pas njoftimit të kancelarit Scholz për gazsjellësin rus, nga Komisioni Evropian thanë se kjo nuk do të ndikojë në furnizimet me energji në Evropë, pasi që ky gazsjellës nuk ishte funksionalizuar.

“Rrjedha Veriore 2 ende nuk është funksional, nuk furnizon me energji Evropën. Nuk është burim tjetër i energjisë, është një tjetër gazsjellës ekzistues për furnizim.... Nuk ka ndryshim në situatën aktuale”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian.

Ky projekt është kundërshtuar nga Shtetet e Bashkuara dhe disa vende evropiane, të cilat kanë thënë se përmes tij mund të rritet varësia e Evropës në furnizimet ruse të energjisë.

Uashingtoni po ashtu ka thënë se ky projekt do t’i shkaktojë dëme ekonomike Ukrainës, duke ia mundësuar Moskës që të bart gazin përreth Ukrainës dhe në këtë mënyrë ky shtet humb miliarda dollarë në tarifa të transitit.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se nëse Rusia pushton Ukrainën, “atëherë nuk do të ketë Rrjedhë Veriore 2. Ju premtoj, do t’i japim fund”.

Në disa komente të bëra më 22 shkurt, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, ka kërkuar që të anulohet ky projekt, pasi Rusia ka njohur dy rajone separatiste të Ukrainës të tij si shtete të pavarura dhe ka dërguar trupa ruse atje.

Zelenskyi ka thënë se Rusia duhet të ndëshkohet për këto veprime me “sanksione të menjëhershme” që përfshijnë edhe “ndaljen totale të Rrjedhës Veriore 2”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG