Ndërlidhjet

Gjermania evakuon stafin e ambasadës në Bejrut dhe qytetas gjermanë


Një flamur i Gjermanisë valëvitet mbi ndërtesën e parlamentit gjerman në Berlin.
Një flamur i Gjermanisë valëvitet mbi ndërtesën e parlamentit gjerman në Berlin.

Gjermania evakuoi nga Libani stafin joesencial të ambasadës së saj në Bejrut, varësit e tyre dhe disa qytetarë gjermanë me nevoja të ndryshme mjekësore.

Rreth 110 pasagjerë udhëtuan më 30 shtator me avionin A321 të forcave ajrore gjermane, përfshirë diplomatë, pjesëtarë të tjerë të stafit dhe disa qytetarë që konsideroheshin në gjendje të pambrojtur, sipas agjencisë së lajmeve AFP.

Ministritë e Jashtme dhe të Mbrojtjes njoftuan më parë për fluturimin e veçantë nga Libani i goditur nga konflikti “për të mbështetur largimin e kolegëve dhe familjeve të tyre”, si dhe të stafit të disa organizatave partnere gjermane.

“Qytetarët gjermanë që janë veçanërisht në rrezik për shkak të kushteve mjekësore po ashtu po evakuohen”, thuhej në deklaratë.

Izraeli ka bombarduar objektivat e Hezbollahut të mbështetur nga Irani, në sulme që kanë vrarë qindra dhe kanë detyruar qindra mijëra të tjerë të ikin nga shtëpitë e tyre. Hezbollahu është grup militant dhe parti politike, që kontrollon pjesën më të madhe të Libanit jugor.

Ambasada në Bejrut ka mbetur ende funksionale për të ndihmuar rreth 1.800 qytetarë gjermanë në vend.

“Ambasada vazhdon të mbështesë gjermanët e mbetur në Liban në largimin e tyre përmes fluturimeve komerciale dhe mënyrave të tjera”, thuhet tutje në deklaratë.

Në fundjavë, Berlini ngriti nivelin e alarmit për misionet në Bejrut, Tel Aviv dhe Ramallah në Bregun Perëndimor të okupuar.

Një zëdhënës i qeverisë gjermane tha të hënën se “ne aktualisht jemi në një fazë ku mbështesim largimin (e qytetarëve), por ne nuk jemi në një skenar evakuimi”.

Deklarata e përsëriti se “të gjithë gjermanët në Liban janë njoftuar ta lënë vendin që nga tetori i vitit 2023”.

Hezbollahu – organizatë e shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërkaq Bashkimi Evropian e ka në listë së zezë krahun e tij të armatosur, por jo dhe partinë politike – filloi sulme ndërkufitare ndaj trupave izraelite një ditë pas sulmit të paprecedentë të aleatit të tij palestinez Hamas ndaj Izraelit më 7 tetor, duke shkaktuar luftë në Rripin e Gazës.

Izraeli tha më herët këtë muaj se po ndryshonte fokusin nga Gaza në sigurimin e kufirit të tij verior me Libanin, për të lejuar izraelitët e zhvendosur të kthehen në shtëpitë e tyre.

Hezbollahu premtoi të hënën se do të vazhdojë të luftojë Izraelin dhe tha se ishte i gatshëm të përballonte çdo operacion tokësor në Liban, pas vrasjes së liderit të tij në një sulm ajror që i dha grupit një goditje të rëndë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG