“Gjermania në të ardhmen do të jetë më e pranishme në Ballkanin Perëndimor dhe për këtë arsye për herë të parë kemi një të dërguar special për këtë rajon”, ka deklaruar të enjten në Sarajevë ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock.
Baerbock është duke i vizituar vendet e Ballkanit Perëndimor. Të enjten pasdite ajo do të qëndrojë edhe në Kosovë, ku do të takohet me udhëheqës institucionesh. Pas Kosovës, ajo do të udhëtojë në Serbi. Me të është Manuel Sarrazin, i dërguari i Posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, të cilin Qeveria gjermane e emëroi në këtë pozitë më 18 shkurt 2022.
Në Sarajevë, në një konferencë për media me ministren e Punëve të Jashtme, Bisera Turkoviq, Baerbock tha se Bosnja e Hercegovina është një nga prioritetet e politikës së jashtme të Gjermanisë.
Ajo shtoi se Gjermania do t’i mbështesë ata që janë në favor të forcimit të vendit, (Bosnje dhe Hercegovinës), jo ata që po punojnë për destabilizimin e shtetit.
"Ne duhet të sigurojmë paqen në Bosnje e Hercegovinë dhe duhet t’i luftojmë ata që e kërcënojnë atë", tha Baerbock.
Ministrja gjermane nuk përmendi në mënyrë specifike sanksionet e mundshme për zyrtarët në Bosnje, por përmendi se Gjermania do të ndërpresë mbështetjen e saj ekonomike për pjesët e Bosnje e Hercegovinës që nuk respektojnë sundimin e ligjit.
Në dhjetor të vitit të kaluar, pak pasi mori detyrën, Baerbock loboi për sanksione kundër Milorad Dodikut, anëtar serb i Presidencës së Bosnjes.
Shtetet e Bashkuara veçse kanë vendosur sanksione ndaj Dodikut, për përfshirje në korrupsion. Uashingtoni ka thënë se me veprimet e tij për të transferuar disa kompetenca shtetërore në nivelin e entitetit të Republikës Sërpska, Dodik ka minuar stabilitetin e rajonit.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Bisera Turkoviq, ka thënë se nëse lejohet destabilizimi i mëtejshëm i Bosnjës e Hercegovinës dhe bllokimi i institucioneve shtetërore, ekziston frika se do të rrezikohet stabiliteti dhe siguria e Evropës, prandaj është e nevojshme që menjëherë të ndalen të gjitha proceset retrograde në Bosnje.
Kjo është vizita e saj e parë që kur mori detyrën si ministre e Jashtme gjermane në dhjetor të vitit të kaluar. Ajo zëvendësoi socialdemokratin Heik Maas në atë post.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Qeveria e re gjermane i bëri thirrje Bashkimit Evropian të vendosë sanksione ndaj Milorad Dodikut, një anëtar i Presidencës së BeH, duke shpjeguar se qëllimi i tij ishte "ta tërhiqte Republikën Sërpska, një nga dy entitetet e Bosnjës, nga forcat e armatosura të BeH, nga gjyqësori dhe sistemi tatimor”.
Diplomatja gjermane po viziton Bosnjën e Hercegovinën në kohën kur Ukraina po përballet me pushtimin rus dhe nga një pjesë e komunitetit ndërkombëtar ka paralajmërime se kriza mund të përhapet edhe në Ballkanin Perëndimor.