Ndërlidhjet

Franca dhe Gjermania: Veprimet në veri rrezikojnë aplikimin e Kosovës në BE dhe dëmtojnë komunitetin serb


Flamujt e Gjermanisë dhe Francës.
Flamujt e Gjermanisë dhe Francës.

Franca dhe Gjermania kanë thënë të martën se i konsiderojnë të njëanshme dhe të pakoordinuara veprimet e autoriteteve të Kosovës për mbylljen e nëntë degëve të Postës së Serbisë, në veri të Kosovës.

Për më shumë, ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, ka thënë se veprime të tilla, "rrezikojnë të lënë të bllokuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.

“BE-ja lulëzon duke mbledhur rreth vetes të gjitha shtetet anëtare dhe komunitetet e tyre dhe ne na duhet qasje e njëjtë në nivel kombëtar”, tha Rohde përmes një postimi në X, teksa shpërndau reagimin e zëdhënësit të bllokut evropian, Peter Stano, lidhur me mbylljen e disa degëve të Postës së Serbisë në veriun e Kosovës.

Në linjë me qëndrimin e BE-së ka dalë edhe Ambasasada e Francës në Kosovë, e cila ka vlerësuar se me këtë hap është dëmtuar komunitetit serb në Kosovë.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE më 15 dhjetor të vitit 2022. Por, ky aplikim ende nuk është shqyrtuar dhe rrjedhimisht Kosova mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk ka statusin e vendit kandidat.

Toby Vogel nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit në Bruksel i reagoi ambasadorit gjerman për këtë deklaratë, duke thënë se ai po mashtron.

“Qytetarët e Kosovës dhe politikanët e Kosovës e dinë që nuk ka rrugë për anëtarësimin në BE të shtetit të tyre. Ata po ashtu e dinë se nuk ka asnjë ‘marrëveshje të dialogut’ që kur Serbia haptazi kundërshton parimet themelore të dialogut”.

Aksioni policor për mbylljen e degëve të Postës së Serbisë u zhvillua më 5 gusht, kur u mbyllën nëntë objekte.

Në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq u mbyllën nga tri objekte, në Zveçan dy, dhe një në Zubin Potok.

Nga Policia e Kosovës thanë se aksioni u zhvillua pas informatës së pranuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) se në territorin e Kosovës po operojnë operatorë ekonomikë pa licencë dhe që nuk janë të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).

Bashkimi Evropian e kritikoi aksionin, duke thënë se ishte një veprim i njëanshëm dhe i pakoordinuar i autoriteteve të Kosovës.

Sipas BE-së, një veprim i tillë shkel dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Blloku evropian rikujtoi që në kuadër të marrëveshjeve të arritura për telekomunikacionin, më 2013 dhe 2015, dy palët janë pajtuar që për shërbimet postale të diskutohet “në një fazë të mëvonshme”, dhe kështu, sipas BE-së, është kuptuar që kjo çështje mund të adresohet vetëm përmes dialogu.

Edhe Shtetet e Bashkuara thanë se janë “thellësisht të zhgënjyera” për mbylljen e degëve të Postës së Serbisë.

“Veprimet e pakoordinuara të Kosovës përballin shtetasit e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it me rrezik të madh, nxisin përshkallëzim të panevojshëm të tensioneve rajonale, dhe minojnë reputacionin e Kosovës si partnere e besueshme ndërkombëtare”, tha Ambasada amerikane në Prishtinë në një reagim të publikuar më 5 gusht.

Mbyllja e objekteve u dënua edhe nga zyrtarët e Postës së Serbisë, Lista Serbe, dhe institucioneve shtetërore të Serbisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG