Gjermania ka prezantuar draft-reformat për imigracion dhe promovimin e tij nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo është një përpjekje e qeverisë së kancelarit Olaf Scholz për t’i dhënë fund mungesës së fuqisë punëtore në ekonominë më të madhe të Evropës.
"Sigurimi i punëtorëve të kualifikuar është një nga detyrat më të mëdha ekonomike të Gjermanisë për dekadat e ardhshme", tha ministri gjerman i Punës, Hubertus Heil.
Sipas ministrisë, numri i vendeve të lira të punës në vitin 2022 ishte në një nivel rekord prej afër 2 milionë.
Një nga reformat është një ligj i ri për imigracionin, i cili synon që t’i adresojë pengesat kryesore për emigrantët në Gjermani, veçanërisht për ata që vijnë nga vendet jashtë Bashkimit Evropian.
"Me këtë nismë, ne po hedhim themelet për një fillim të ri në politikën e migracionit", shkroi në Twitter ministri i Financave, Christian Lindner, pasi kabineti miratoi reformat. “Kushdo që mund të kontribuojë në suksesin ekonomik të vendit si punëtor i kualifikuar është i mirëpritur”.
Projektligji, të cilin e ka parë Reuters, thotë se reforma mund të rrisë numrin e punëtorëve nga vendet jashtë BE-së në 60.000 njerëz në vit.
- Kushtet e këqija apo emigrimi, çfarë po i lë bizneset pa punëtorë?
- Pse po largohen punëtorët nga Kosova?
- Bizneset në Shqipëri vuajnë për mijëra punëtorë
- Si të ndalet shpopullimi i vendbanimeve në Maqedoninë e V?
"Nëse njerëzit sjellin përvojë profesionale ose potencial personal me vete, ne do t'ua bëjmë të mundur që ata të fitojnë terren në tregun tonë të punës", tha ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser.
Në këtë projektligj parashihen tri rrugë për shtetasit e huaj që të punojnë në Gjermani.
E para kërkon një diplomë profesionale ose universitare të pranuar në Gjermani, si dhe një kontratë pune.
E dyta kërkon të paktën dy vjet përvojë pune në një sektor përkatës dhe një diplomë ose formim profesional.
E treta është një “kartë mundësie” e re për individët që nuk kanë përvojë pune, por kanë potencial për të gjetur punë. Ajo ndjek një sistem të bazuar në pikë që merr parasysh kualifikimet, aftësitë gjuhësore, përvojën profesionale, lidhjen me Gjermaninë dhe moshën.
Kabineti miratoi gjithashtu një Ligj të arsimit, i cili u jep të drejtën të rinjve për trajnime pa pagesë. Agjencia Federale e Punës e Gjermanisë do të paguajë deri në 67 për qind të pagës neto për kohëzgjatjen e trajnimit.
Kabineti vendosi gjithashtu t’i vazhdojë rregulloret për punëkërkuesit nga Kosova, Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia, të cilat pritej të përfundonin në fund të vitit.
Gjermania do të jetë në gjendje të rekrutojë deri në 50.000 punëtorë në vit nga këto vende. Sipas kësaj rregulloreje, Gjermania më parë të rekrutonte 25.000 punëtorë në vit.
Bruecker e mirëpriti këtë vazhdim, duke vënë në dukje se shkalla e punësimit të këtyre emigrantëve ishte midis 97 për qind dhe 98 për qind - tri deri në pesë vjet pas transferimit në Gjermani.