Ndërlidhjet

Policia gjermane arreston një libian, dyshohet se planifikoi sulm ndaj Ambasadës izraelite


Policia gjermane. (fotografi ilustruese nga arkivi)
Policia gjermane. (fotografi ilustruese nga arkivi)

Autoritetet gjermane njoftuan të dielën se e kanë arrestuar një shtetas të Libisë, i cili dyshohet se po planifikonte të kryente sulm me armë kundër Ambasadës së Izraelit në Berlin.

Policia gjermane dyshon se ai ka lidhje me grupin ekstremist Shteti Islamik (IS).

Forcat e sigurisë dhe policia e arrestuan atë natën e së shtunës në Bernau, një qytezë pranë Berlinit, si dhe e bastisën shtëpinë e tij atje, tha zyra e prokurorit federal në një komunikatë.

Zyra e prokurorit tha se i dyshuari është shtetas i Libisë dhe e identifikoi atë vetëm si Omar A.

“Ai kishte për qëllim të kryente një sulm të profilit të lartë me armë zjarri ndaj Ambasadës izraelite në Berlin”, thuhet në komunikatë.

Gjatë planifikimit, sipas njoftimit “i akuzuari shkëmbeu të dhëna me një anëtar të IS-it përmes mesazheve”.

Forcat e sigurisë gjithashtu kontrolluan shtëpinë e një personi tjetër, i cili konsiderohet si dëshmitar dhe jo i dyshuar, tha zyra e prokurorit.

Ministrja e Brendshme Nancy Faeser tha se autoritetet gjermane të sigurisë "vepruan në kohë për të parandaluar planet e mundshme për ta sulmuar Ambasadën izraelite në Berlin".

“Kjo tregon se mbrojtja e institucioneve hebraike dhe izraelite në vendin tonë është jetike dhe me rëndësi të jashtëzakonshme për ne”, shtoi ajo.

Ambasadori i Izraelit në Berlin, Ron Prosor, i falënderoi autoritetet gjermane të sigurisë “për garantimin e sigurisë së Ambasadës sonë”, raportoi agjencia e lajmeve dpa.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG