Ndërlidhjet

Gjeneralit Clark i ndahet dekorata “Dr.Ibrahim Rugova”


Gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark.
Gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark.

Gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark, është nderuar të dielën në Prishtinë me dekoratën “Dr.Ibrahim Rugova” nga Lidhja Demokratike e Kosovës [LDK], për rolin e tij në çlirimin e Kosovës.

Clark ka udhëhequr fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe më 1999.

Fushata e sulmeve të NATO-s, e cila ka zgjatur 11 javë, është kryer për të ndalur dhunën e forcave serbe kundër shqiptarëve në Kosovë.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se emri i Clark-ut është i ngulitur në themelet e krijimit të historisë së Kosovës, dhe e ka falënderuar për mbështetjen e ofruar ndër vite.

“Në momentet më të errëta, në synimet tona për liri, vendimet tuaja na kanë dhënë shpresë dhe forcë. Udhëheqësia juaj gjatë intervenimit të NATO-s, ka qenë pikë kthese. Ajo nuk ka ndryshuar vetëm historinë tonë, por ka shpëtuar jetë të panumërta”.

Abdixhiku i ka kërkuar Clark-ut që të vazhdojë të ndihmojë Kosovën për forcim të mëtutjeshëm të lidhjeve të Kosovës me Perëndimin, sidomos me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara.

Vetë Clark ka thënë se impresionohet secilën herë që viziton Kosovën.

“Shpresoj që do të vazhdoni t’i forconi lidhjet me SHBA-në dhe ta shihni atë si mike të mrekullueshme. Ne jemi krenarë me ju, për përparimin që keni bërë, për shembullin që keni treguar”.

Ai është takuar gjatë ditës edhe me zyrtarë tjerë të opozitës në Kosovë.

Nuk dihet nëse do të ketë një takim me zyrtarë në pushtet.

Bombardimet e NATO-s më 1999, ishin operacioni i dytë i madh luftarak i NATO-s, pas sulmeve të vitit 1995 në Bosnje dhe Hercegovinë.

Megjithatë, ajo ka qenë hera e parë që NATO-ja - në historinë e saj të atëhershme 50-vjeçare - e ka përdorur forcën ushtarake pa miratimin e shprehur të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

NATO-ja i ka ndërprerë sulmet pas 78 ditësh - përkatësisht më 10 qershor, 1999 - apo një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës.

Me këtë marrëveshje, të negociuar ndërmjet NATO-s dhe zyrtarëve ushtarakë jugosllavë, forcat jugosllave janë tërhoqur nga Kosova dhe është krijuar forca paqeruajtëse ndërkombëtare, e udhëhequr nga NATO-ja.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG