Në pjesë të rajonit Voronezh të Rusisë është shpallur gjendje e jashtëzakonshme, pas një sulmi të dyshuar ukrainas me dronë në një depo municioni, e cila u përfshi nga zjarri, thanë autoritetet rajonale.
Guvernatori rajonal, Aleksandr Gusev, tha se dronë ukrainas u rrëzuan nga kundërajrorët rusë dhe se zjarri në depon e municionit u shkaktua nga rënia e copëzave të dronëve.
Depoja e municionit ndodhet në qarkun Podgornenski, në rajonin Voronezh në afërsi të kufirit me Ukrainën.
Video të publikuar në Telegram shfaqin së paku një dron duke fluturuar drejt depos dhe pastaj mund të dëgjohen një sërë shpërthimesh, teksa tym i zi ngrihet në qiell.
Gusev tha se nuk raportohet për viktima. Më vonë mëngjesin e së dielës, ai tha se ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në vendbanimin ku ndodhet depoja e kapluar nga zjarri, pa e identifikuar atë me emër.
U raportua se rruga drejt kësaj zone është mbyllur dhe se autoritetet kanë filluar t’i evakuojnë banorët në qendra të përkohshme akomodimi.
Ukraina, infrastruktura energjetike e së cilës është dëmtuar rëndë nga sulmet e pareshtura ruse gjatë vitit të fundit, i ka rritur sulmet ndaj zonave për prodhimin e karburanteve brenda Rusisë, kryesisht kundër ndërtesave të rafinerisë së naftës, të cilat punojnë për ushtrinë ruse.
Ndërkohë, Forca Ajrore e Ukrainës tha mëngjesin e së dielës se kundërajrorët ukrainas i kanë zmbrapsur sulmet e reja ruse me dronë dhe me raketa në disa rajone.
“Armiku sulmoi me dy raketa balistike të tipit Iskander-M, dhe me 13 dronë të llojit Shahed”, shkroi Forca Ajrore në Telegram.
Sipas saj, 13 dronë u rrëzuan në rajonet Kirovohrad, Harkiv, Sumi dhe Poltava.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha në Telegram se raketa e saj Iskander i ka shkatërruar dy hedhës të kundërajrorit Patriot dhe një stacion radari Giraffe në fshatin Juzhin në rajonin e Odesës.
Pretendimi rus nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur.