Ndërlidhjet

Gjendet trupi i pajetë i sulmuesit të tretë të dyshuar në veri


Policia e Kosovës në veri. 25 shtator 2023.
Policia e Kosovës në veri. 25 shtator 2023.

Prokuroria e Kosovës ka konfirmuar të hënën se e ka gjetur trupin e pajetë të sulmuesit të tretë të dyshuar në veri të vendit.

Trupi i pajetë është gjetur rreth 1.5 kilometra larg "vendit të incidentit", një ditë pasi një grup prej dhjetëra personave të armatosur e sulmuan Policinë e Kosovës.

Lajmi u konfirmua për Radion Evropa e Lirë nga prokurori Naim Abazi.

“Jemi duke bërë përpjekje ta identifikojmë atë për momentin, pasi nuk kishte dokumente identifikimi me vete”, tha Abazi.

Abazi tha se, po ashtu, në vendin e ngjarjes është gjetur edhe një automjet tjetër me armatim.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se autoritetet kanë loaklizuar trupin e pajetë të sulmuesit të tretë të dyshuar, që besohet se është vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit një ditë më herët.

Policia e Kosovës u sulmua nga persona të maskuar në orët e hershme të së dielës pasi shkoi për t’i larguar barrikadat e vendosura në Banjskë, të cilët u strehuan në manastirin e fshatit më vonë.

Si pasojë, zyrtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra dhe disa të tjerë u plagosën.

Të dielën, autoritetet kosovare thanë se tre sulmues u vranë gjatë sulmit, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, u arrestuan.

Një polic e tre sulmues të vrarë në veri të Kosovës
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:41 0:00

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të dielën se një “formacion terrorist dhe kriminal prej 30 vetave” mori pjesë në sulm.

Gjendja në veri të Kosovës të hënën është e qetë, por qasja për në fshatin Banjskë në Komunën e Zveçanit është ende e mbyllur nga policia e Kosovës, pas sulmit vdekjeprurës të së dielës nga persona të armatosur dhe maskuar.

Njësia Speciale e Kosovës e ka vendosur një automjet të blinduar dhe vetura të tjera në kryqëzimin Ballaban, i cili dërgon në Banjskë.

Duke folur në një konferencë për gazetarë, Kurti i përshkroi sulmuesit e armatosur si “një njësi e organizuar profesionale, që ka ardhur për të luftuar në Kosovë”.

Ai i bëri thirrje grupit që t’iu dorëzohet autoriteteve kosovare.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se personat e armatosur ishin serbë lokalë të Kosovës, “të cilët nuk mund të vuanin më terrorin e Kurtit”.

Vuçiq e dënoi vrasjen e policit të Kosovës, duke thënë se ajo “nuk mund të justifikohet”, por mohoi se Beogradi kishte ndonjë lidhje me sulmin.

*Në versionin e parë të këtij lajmi, numri i sulmuesve të dyshuar të vrarë ka qenë katër në vend tre. Prokuroria ka sqaruar se bëhet fjalë për trupin e pajetë të sulmuesit të tretë të dyshuar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG