Ndërlidhjet

Njëmbëdhjetë të mbytur pas fundosjes së anijes me emigrantë në lumin Drina


Ekipet e shpëtimit duke kërkur në lumin Drina, mes Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, pas fundosjes së një anijeje me emigrantë, 23 gusht.
Ekipet e shpëtimit duke kërkur në lumin Drina, mes Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, pas fundosjes së një anijeje me emigrantë, 23 gusht.

Zjarrfikësit e kanë gjetur të premten trupin e një emigranti tjetër, i cili u mbyt si pasojë e fundosjes së një anijeje emigrantësh në lumin Drina mes Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë Administrata Republikane për Mbrojtjen Civile në Republikën Sërpska.

Numri i të mbyturve nga fundosja e anijes dy ditë më parë ka shkuar në 11, tha drejtori i Administratës Republikane për Mbrojtjen Civile në Republikën Sërpska (ARMCRS), Boris Tërniniq.

Në mesin e viktimave ishte edhe një foshnje.

Një ditë më herët u gjetën trupat e dhjetë emigrantëve në lumin Drina dhe në brigje e tij, pasi anija e tyre u fundos gjatë përpjekjeve për të kaluar nga Serbia në Bosnje e Hercegovinë natën mes të mërkurës dhe të enjtes.

Prokuroria në Bosnje e Hercegovinë ka urdhëruar nisjen e një hetimi për kontrabandimin e emigrantëve nëpër lumin Drina, tha zyra e prokurorit për Radion Evropa e Lirë.

Prokuroria thekson se për rastin kanë marrë informacion nga pjesëtarët e Policisë Kufitare të Bosnjës.

“Persona të panjohur nga territori i Serbisë në Bosnje e Hercegovinë [përpiqen] të kontrabandojnë një numër të madh emigrantësh. Si pasojë anija është përmbysur në lumin Drina, një grup emigrantësh kanë notuar në breg dhe trupat e pajetë të disa emigrantëve janë gjetur dhe nxjerrë nga lumi”, thuhet në deklaratë.

Hetimet nga policia kufitare dhe shërbimet e tjera të sigurisë të Bosnje e Hercegovinës janë duke vazhduar, ndërsa po mbledhin të dhëna me qëllim “të gjetjes së fakteve për ngjarjen në fjalë dhe paraqitjen e kallëzimit për veprën penale”.

Kërkimi për emigrantë të tjerë të zhdukur është duke vazhduar ende, tha ARMCRS, duke shtuar se nuk dihet numri i të zhdukurve.

Në dhjetë vjetët e fundit, së paku 40 emigrantë janë mbytur në lumin Drina në përpjekje për ta kaluar atë, sipas të dhënave të Radios Evropa e Lirë nga shkurti i vitit 2024.

Shërbimi për të huajt i Bosnje e Hercegovinës tha për REL-in se disa nga emigrantët që arritën të kalonin Drinën u vendosën në qendrat e pritjes në Bosnje.

Siç mëson REL-i, një grup emigrantësh u përpoqën të kalonin nga Serbia në Bosnje me dy varka. Varka e parë kaloi lumin, e dyta u përmbys.

Nga 15 emigrantët e shpëtuar, 12 janë të mitur, sipas këtij Shërbimi.

“Emigrantët aktualisht janë në rrugë për në Sarajevë, 12 prej 15 emigrantëve do të akomodohen në qendrën e pritjes së përkohshme në Ushivak, dhe tre të rritur në qendrën në Blazhuj”, tha Zharko Laketa, drejtor i Shërbimit për të huajt.

Laketa tha se, sipas marrëveshjes së ripranimit me Serbinë, emigrantët do të kthehen në Serbi sipas procedurës së rregullt. Ai tha gjithashtu se 12 janë nga Siria, dy nga Egjipti dhe një nga Maroku.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG