Ndërlidhjet

Gërvalla e cilëson si shumë të rrezikshme iniciativën “Ballkani i Hapur” 


Kosovë: Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, (4 qershor,2021).
Kosovë: Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, (4 qershor,2021).

Për Republikën e Kosovës, “Ballkani i Hapur” si iniciativë për bashkëpunim rajonal, paraqet ide të rrezikshme, ka theksuar ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla gjatë vizitës së parë të saj zyrtare në Shkup, në një konferencë të përbashkët me homologun e saj në Maqedoninë e Veriut, Bujar Osmani.

“Si Republikë e Kosovës, iniciativën e Novi Sadit, në ndërkohë të “mini-Shengenit”, e që nga dita e djeshme, e “Ballkanit të Hapur”, e konsiderojmë si të rrezikshme, sepse krijohet përshtypja se kemi alternativë ndaj rrugës sonë të përbashkët si rajon, drejt BE-së dhe përçimin e këtij mesazhi ne e konsiderojmë se është më i rrezikshëm sesa vonesat që mund të ndodhin ndërkohë, gjatë procesit tonë të integrimit”.

“Ne kemi një proces të përbashkët rajonal ku jemi të gjitha vendet e rajonit dhe ky proces quhet Procesi i Berlinit, në kuadër të të cilit për disa vite synojmë të shtyjmë përpara marrëveshjet që prekin të gjithë qytetarët. Në këtë iniciativë, Republika e Kosovës është shtet i barbartë me pesë shtetet e tjera të Ballkanit”, ka thënë shefja e diplomacisë kosovare Donika Gërvalla, duke shtuar se “mini Shengeni” apo tani i quajtur “Ballkani i Hapur”, vë në pikëpyetje dhe qëllimet gjeostrategjike që ka rajoni.

“Kjo iniciativë e quajtur më parë “mini-Shengen” dhe tani “Ballkan i Hapur”, vë në pikëpyetje përcaktimet gjeostrategjike që ka rajoni ynë, sepse në rajonin tonë jo të gjitha shtetet kanë të njëjtin përcaktim gjeostrategjik”, ka theksuar Gërvalla.

Përderisa homologu i saj në Maqedoninë e Veriut Bujar Osmani, iniciativën “Ballkani i Hapur” e sheh si vlerë të shtuar në kuadër të bashkëpunimit rajonal, duke kujtuar se tashmë në rajon ka mbi 70 iniciativa, ku secila me kontributin e vet synon të kontribuojë në thellimin e bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Osmani ka theksuar se përmes filtrave të analizave të shumta shkencore duhet parë benifitet politike, si dhe ata ekonomike që mund të sjell iniciativa “Ballkani i Hapur” dhe vetëm pas kësaj shtoi ai, çdo shtet i Ballkanit duhet të marrë vendim.

“Edhe këtë iniciativë të fundit, e shoh si një përpjekje për të qenë vlerë e shtuar në kuadër të bashkëpunimit rajonal, pa tentuar që të neutralizojë efektin e iniciativave tjera rajonale. Për të liruar potencialin e nevojshëm në rajon, çdo iniciativë rajonale duhet të jetë inkluzive apo gjithëpërfshirëse. Nuk do të thotë që s’duhet të bëjmë përpjekje që çdo ide e re të analizohet dhe të tentohet tek ajo gjithëpërfshirja. Për një të tillë, duhet të bëhen analiza të shumta dhe të thella shkencore, për të parë të gjitha aspektet e cilësdo iniciativë me qëllim që vendet tona, të kenë informata sa më të shumta për vendimet që i marrin në bazë të këtyre parametrave shkencorë”, ka theksuar ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë Bujar Osmani.

Ndërkohë gjatë vizitës në Shkup, ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla, ka nënvizuar se duhet inkurajuar pala maqedonase që sa më parë të përfundoj me ndërtimin e rrugës Shkup – Bllacë, siç tha ajo për të shkurtuar rrugën mes dy vendeve.

Gërvalla tha se pritjet e gjata në pikat kufitare mes dy vendeve fqinje, pra Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, mund të shmangen përmes modelit “one shop stop”.

“I ashtuquajturi “one shop stop” është bisedë mes nesh, mbetet që të gjejmë mundësi konkrete. Ne si Republikë e Kosovës jemi të gatshëm që të ndërmarrim në aspektin teknik gjithçka që është e nevojshme, për realizimin e një pike të përbashkët vendkalimi kufitar, me qëllim që qytetarët të mos presin dy herë”, tha Gërvalla.

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës duke folur për lidhshmërinë që kanë dy shtetet fqinje, ka nënvizuar se ka një lidhje të posaçme me Shkupin, duke bërë të ditur se si e lindur në Shkup, një pjesë të madhe të fëmijërisë e ka kaluar po në Shkup, ku siç tharegoi ajo edhe në pasaportë Shkupi figuron si qytet i lindjes.

Ndryshe, të enjten në Shkup, në kuadër të konferencës rajonale “Ballkani i Hapur” kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i kanë ftuar edhe vendet e tjera në rajon që t’i bashkohen kësaj nisme.

Në takimin e tre liderëve të rajonit, nuk ka marrë pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili në vazhdimësi ka kundërshtuar nismën e “mini-Shengenit”, pasi sipas tij rajoni duhet t’i kthehet agjendës së integrimit evropian dhe jo nismave që, sipas tij, janë të dëmshme për shqiptarët.

Ideja e "mini-Shengenit" Ballkanik, është prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG