Ndërlidhjet

"Të paktën eshtrat t’i gjejmë diku"


Serbi: Ekspertë të forenzikës nga Kosova, Serbia dhe Bashkimi Evropian duke gërmuar në varrezën masive në Kizhevak të Serbisë, (4 dhjetor 2020).
Serbi: Ekspertë të forenzikës nga Kosova, Serbia dhe Bashkimi Evropian duke gërmuar në varrezën masive në Kizhevak të Serbisë, (4 dhjetor 2020).

Ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, do të fillojnë gërmimet për varreza masive në disa lokacione të ndryshme në Kosovë.

Gërmimet tashmë kanë filluar në fshatin Dreth (Dren) të Zubin Potokut, më 26 gusht, mirëpo ekipet ende nuk kanë gjetur asgjë.

Po ashtu, gërmime në kërkim të varrezave masive pritet të fillojnë edhe në Koshare, në Prizren, Suharekë dhe në Podujevë.

Sipas Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur në Kosovë, fillimin e gërmimeve në Koshare e ka kërkuar Serbia.

Në këtë vend, në Komunën e Gjakovës, gjatë luftës së fundit në Kosovë në vitin 1999, ishte zhvilluar Beteja e Koshares, ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ushtrisë së Serbisë.

Edhe gërmimet në fshatin Dreth, po ashtu janë bërë me kërkesë të Serbisë.

Gërmimet e reja shpresë për familjarët e të zhdukurve

Më 24 mars të vitit 1999, në hyrje të fshatit Obranqë në Komunën e Podujevës, ishin masakruar 7 persona.

Në mesin e të vrarëve dyshohet të jetë edhe babai i Avdi Maqastenës, Qazim Maqastena nga fshati Katunishtë i kësaj komune.

Ai tregon për Radion Evropa e Lirë, se eshtrat e babait të tij i kishin varrosur me të mbaruar lufta.

Mirëpo, asnjëherë nuk u vërtetua se eshtrat ishin të babait të tij dhe u zhvarrosën përsëri.

Qazim Maqastena i vrarë gjatë luftës në Kosovë më 1999 dhe prej atëherë person i zhdukur.
Qazim Maqastena i vrarë gjatë luftës në Kosovë më 1999 dhe prej atëherë person i zhdukur.

“I kemi gjetur eshtrat menjëherë pas luftës, sepse e dinim vendin sipas dëshmitarëve ku i kanë masakruar, ku i kanë mbytë. I kemi marrë dhe i kemi varrosur ato. Kanë ardhur këta të morgut i kanë marrë dhe ato eshtra nuk na i kanë kthyer më kurrë”, tha Maqastena.

Ende nuk dihet se kur do të fillojnë gërmimet e reja në Podujevë, por Avdi Maqastena, shpreson që të gjenden eshtrat e babait të tij.

“Prej atëhershmit gjithë me ankth jemi. Gjithmonë duke pritur. Ende nuk besojmë...a është gjallë diku, a s’është. Shpresojmë që të paktën eshtrat t’i gjejmë diku”, tha Maqastena.

Pas përfundimit të luftës, në Komunën e Podujevës, të zhdukur konsideroheshin 82 persona. Deri më tash janë gjetur eshtrat e 41 personave.

Nga qershori i vitit 1999, edhe Natasha Shqepanoviq nga Istogu, është në kërkim të nënës së saj.

Prindërit e Natasha Shqepanoviq: Momqillo dhe Sretenka Pumpalloviq.
Prindërit e Natasha Shqepanoviq: Momqillo dhe Sretenka Pumpalloviq.

Ajo tha për Radion Evropa e Lirë se gërmimi i çdo varreze masive ose individuale, u jep familjeve shpresën e humbur që ata më në fund do të gjejnë më të dashurit e tyre.

“(Për nënën) Ne dëgjuam informacione të ndryshme, nga fakti që ajo ishte në disa kampe e deri tek fakti që ajo u dogj e gjallë në shtëpi, deri tek informacioni që ajo u nxor nga shtëpia dhe përfundoi në një lumë. Ka disa xhirime dhe fotografi që janë rrëqethëse, ku së bashku me dy gra të tjera, që janë në listën e të zhdukurve dhe që unë i njoh, trupat e tyre u hodhën në lumë. Por deri më sot, nuk dihet se ku janë trupat ”, tha Natasha Shqepanoviq.

Babai i saj gjithashtu u zhduk më 1999, trupi i të cilit u zhvarros në 2003 nga varrezat Lleshqe në Beograd (Serbi), ku u varrosën persona të paidentifikuar, dhe ishin kryesisht ushtarë serbë që vdiqën në Kosovë.

Gërmimet kanë filluar në vetëm një lokacion

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, tha se ka qenë kërkesë e Serbisë që të fillojnë gërmimet në Komunën e Zubin Potokut dhe në Koshare.

Përveç Koshares, Hoti tha për Radion Evropa e Lirë se do të bëjnë gërmime edhe në lokacione tjera në Kosovë, për varreza masive në rajonin e Prizrenit, Suharekës dhe Podujevës.

Sipas tij, në Koshare, gërmime janë bërë edhe nga misionet ndërkombëtare UNMIK-u dhe EULEX-i.

Deri më 2018, çështja e personave të zhdukur ishte kompetencë e plotë e UNMIK-ut dhe EULEX-it.

“Ata dy-tri herë kanë hulumtuar në lokacione të tilla, të cilat natyrisht kanë rezultuar me rezultat negativ, mirëpo kërkesa e vazhdueshme e Serbisë që ne të shkojmë në Koshare prapë, është urdhëresë e Prokurorisë. Në momentin e parë që do të mund të arrijmë atje për shkak të terrenit, natyrisht që do ta hulumtojmë”, tha Hoti.

Sipas Hotit, pala serbe dyshon së në këtë lokacion mund të ketë trupa të ushtarëve serbë të vrarë. Derisa për lokacionet tjera, Hoti tha se informacionet kryesisht janë për shqiptarë.

Bajram Qerkini, drejtuesi i shoqatës “Zëri i Prindërve”, tha për Radion Evropa e Lirë se në lokacionet e përmendura, janë bërë gërmime edhe më herët.

“Kanë punuar në Dren, kanë punuar në Komunën e Zubin Potokut në tre vende, kanë punuar në pjesë të veriut pak, po ashtu edhe në Suharekë. Krejt këto lokacione që përmenden tash, janë ditur qe disa vjet. Mjerisht për ne familjarët, askush nuk mund ta dijë sa jemi duke hequr dhe çka jemi duke përjetuar. Këto po na duken të pavërteta. Gjithmonë vetëm supozime, jemi lodhur në shpirt”, tha Qerkini.

Bashkëpunimi me Serbinë për fatin e të zhdukurve

Ekipet e Kosovës dhe Serbisë, janë takuar disa herë për të biseduar për çështjen e të zhdukurve nga lufta e fundit në Kosovë 1998-99.

Hoti tha se bashkëpunimi me nëngrupet punuese ka qenë dhe është i mirë, por sipas tij, Serbia po refuzon t’i japë informacionet për varrezat masive që dyshohet se janë në këtë shtet.

“Serbia vazhdon ta cilësojë politike çështjen e personave të zhdukur dhe nuk jep informacione për varrezat masive, kryesisht që janë në territor të Serbisë, sepse ne e dimë që në bazë të informatave dhe në bazë të praktikave, deri më tash kryesisht në territor të Serbisë, shumë prej personave të zhdukur, qytetarë të Kosovës, janë rivarrosur dhe janë dërguar në Serbi me qëllim të zhdukjes”, tha Hoti.

Hoti tha se duhet të rritet presioni ndaj Serbisë që këtë çështje, mos ta trajtojë në mënyrë politike por humane. Sipas tij, një nga sfidat kryesore është qasja në arkivat shtetërore të ushtrisë së Serbisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po kundërshton dialogun me Serbinë, pasi pjesë e delegacionit serb është edhe Velko Odalloviq, dhe përfaqësuesit e Kosovës nuk duan të takohen me të.

Sipas Qeverisë së Kosovës, Odalloviq ka qenë personi kryesor i regjimit të Slobodan Millosheviqit në Kosovë dhe ai duhet të merret në pyetje për personat e zhdukur dhe jo të jetë pjesë e një komisioni për të zhdukurit.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, rreth 6,500 persona kanë qenë të zhdukur.

Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.

Sipas autoriteteve në Kosovë, të pagjetur vazhdojnë të jenë edhe rreth 1,630 persona, kryesisht shqiptarë.

Në luftën e fundit në Kosovë sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, janë vrarë rreth 13,500 persona. Shumica prej të vrarëve janë civilë shqiptarë.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG