Ndërlidhjet

Protestat zhvendosen në ngjarje përkujtimore për Floydin


Shërbimi përkujtimor për George Floyd, 4 qershor.
Shërbimi përkujtimor për George Floyd, 4 qershor.

Aktivistë të të drejtave të njeriut, politikanë dhe personalitete të tjera publike u mblodhën në një shërbim përkujtimor për George Floydin, afrikano-amerikanin 46-vjeçar, i cili vdiq gjatë arrestimit nga policia.

Incidenti ndodhi më 25 maj në Mineapolis dhe shkaktoi demonstrata kundër racizmit dhe brutalitetit të policisë në Shtetet e Bashkuara.

Al Sharpton, aktivist i të drejtave të njeriut, tha se Floyd “e ka ndryshuar botën”, duke shtuar se ka ardhur koha për t'u marrë me policinë dhe përgjegjshmërinë në sistemin e drejtësisë penale.

“Do të vazhdojmë të luftojmë, George”, tha Sharpton në ngjarjen përkujtimore në Mineapolis.

Floyd u kap në një video i shtrirë për tokë, derisa një oficer i bardhë i policisë e shtypte me gju në qafë, derisa Floyd thoshte se nuk mund të marrë frymë dhe lutej për jetën e tij.

Pjesëmarrësit në ngjarjen përkujtimore qëndruan në heshtje për tetë minuta e 46 sekonda - koha sa polici shtypi gjurin e tij në qafën e Floydit.

Në Nju Jork, vëllai i Floydit, Terrence Floyd, iu drejtua turmave për t'i falënderuar për mbështetjen. Ai gjithashtu adresoi dhunën dhe plaçkitjet që kanë dëmtuar disa protesta.

"Jam krenar për protestat, por nuk jam krenar për shkatërrimin. Vëllai im nuk kishte lidhje me këtë. Floyd është një familje me frikë nga Zoti", tha ai para protestuesve.

Në Uashington, ku protestuesit janë përballur me agjentë federalë dhe ushtarë, presidenti Donald Trump është kritikuar për paaftësinë e tij për të unifikuar kombin dhe për etiketimin e protestuesve si "banditë" dhe "anarkistë".

Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, William Barr, e mbrojti të drejtën e amerikanëve për të protestuar, duke e cilësuar "të shenjtë". Por, ai po ashtu tha se presidenti e ka udhëzuar që të mos kursejë asnjë përpjekje për ndalimin e dhunës.

Barr tha në një konferencë për media se vdekja e Floydit ekspozon shqetësime më të gjera për mungesën e besimit të afrikano-amerikanëve në sistemin e drejtësisë penale, por, shtoi ai, shumë prej protestave paqësore janë rrëmbyer nga "agjituesit ekstremistë".

Ai tha se plaçkitja, zjarrvënia dhe sulmet ndaj oficerëve të policisë janë bërë kryesisht nga grupe që kundërshtojnë qeverinë.

Barr tha se këta ekstremistë, përfshirë grupet si Antifa - që shpesh promovojnë militantizmin e së majtës - bëjnë përpjekje për të zgjeruar përçarjet në shoqëri.

Përveç Antifas, Barr nuk identifikoi ndonjë grup tjetër.

"Kemi parë prova që Antifa dhe grupe të tjera të ngjashme ekstremiste, si dhe aktorë me bindje të ndryshme politike kanë qenë të përfshirë në nxitje dhe aktivitete të dhunshme", tha Barr.

Protestat në SHBA janë shndërruar në një nga krizat më të rënda të presidencës Trump, vetëm disa muaj para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit dhe në mes të pandemisë së koronavirusit, e cila ka lënë miliona të papunë dhe ka dëmtuar ekonominë.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG