Ndërlidhjet

Gazetaret e REL-it shpërblehen me dy çmime vjetore


Logoja e Radios Evropa e Lirë.
Logoja e Radios Evropa e Lirë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka shpërblyer me çmime dy gazetare të Shërbimit të Kosovës të Radios Evropa e Lirë (REL), gjatë ndarjes së Çmimeve Vjetore të Gazetarisë 2024, në Prishtinë, në mbrëmjen e 10 dhjetorit.

Gazetarja e REL-it në Prishtinë, Nadije Ahmeti, ka fituar Çmimin për Web Storien më të mirë të vitit, ndërsa kolegia e saj, Doruntina Baliu, ka fituar Çmimin për Raportimin mbi Ndryshimet Klimatike dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm.

Ahmeti u shpërblye për shkrimin e saj, “Ma mori dritën e syve”, i publikuar më 28 maj dhe i shoqëruar me fotografitë e realizuara nga fotoreporteri dhe kameramani i REL-it, Arben Hoti.

Gazetarja e REL-it, Nadije Ahmeti.
Gazetarja e REL-it, Nadije Ahmeti.

Ahmeti ka sjellë rrëfimin e Milihate Coklit, vajza 20 vjeçe e së cilës, Erona, u vra më 12 prill në Ferizaj, teksa si i dyshuar kryesor për aktin u arrestua ish-bashkëshorti i saj, me të cilin viktima kishte një djalë një vjeç e dy muaj.

Baliu u vlerësua për videon e saj, Nga ara në plazhe: Ballkani i zhytur në krizën e mbeturinave, xhirimet dhe montazhin e së cilës i realizoi kameramani i REL-it, Ibrahim Berisha.

Aty, dhe në reportazhin Deponim dhe kundërmim: Kriza me mbeturina në shtetet e Ballkanit, të publikuar më 18 nëntor, ajo tregon se si mbeturinat janë kthyer në një problem të madh në Ballkanin Perëndimor me deponi të tejmbushura që ndotin tokën e ujërat, dhe si në Kosovë, Shqipëri e Mal të Zi, menaxhimi i mbeturinave mbetet jashtë standardeve evropiane.

Gazetarja e REL-it, Doruntina Baliu.
Gazetarja e REL-it, Doruntina Baliu.

Në storien e Baliut për mbeturinat kontribuuan edhe gazetarët nga Podgorica të Shërbimit të Ballkanit të REL-it, Nikolla Borozan dhe Aleksandar Lumoviq.

Nga ara në plazhe: Ballkani i zhytur në krizën e mbeturinave
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:11:10 0:00

AGK-ja i ka ndarë çmimet e sivjetme për gazetari në bashkëpunim me Misionin në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), UN Women dhe disa organizata të tjera.

Çmimet tjera

Çmimin për gazetarin apo gazetaren më të mirë të vitit e fitoi Ardiana Thaçi-Mehmeti e Klan Kosovës.

Çmimin për raportimin më të mirë nga sporti e fitoi Albiona Hoxhaj nga Betimi për Drejtësi.

Çmimi i gazetarisë për fuqizimin e gruas iu nda tri gazetareve. Dafina Halili nga Kosovo 2.0 e fitoi vendin e tretë, Blerta Ahmeti nga Betimi për Drejtësi vendin e dytë, ndërsa të parin Adelinë Ahmeti.

Çmimi për raportimin më të mirë rreth antigjipizmit iu nda tre gazetarëve, me Rexhep Malokun nga Kosovo 2.0 që zuri vendin e tretë, Gentiana Ahmetin nga Kallxo.com dhe Oriada Dajko që e morën çmimin e dytë, dhe Qëndresa Bellagoshi nga Klan Kosova që e fitoi çmimin kryesor.

Çmimin kameramani i vitit e fitoi Denis Sllovinja nga Kallxo.com.

Çmimin për raportimin më të mirë mbi ndërtimin e besimit e rrëmbeu Arbrita Uka nga Kallxo.com.

Çmimin për raportimin e përgjegjshëm gjinor për të drejtat pronësore të grave e fituan Merita Miftari nga Gazeta Express dhe Jetlira Ademi nga uebsajti Katror.

Çmimin për raportimin më të mirë të sensibilizuar për konfliktin e fitoi Kreshnik Gashi nga Kallxo.com.

Çmimin për raportimin më të mirë për shëndetësinë e fitoi Bujar Vitia nga Kosovo 2.0.

Çmimin për TV storien më të mirë të vitit e fituan gazetarët e Kallxo.com, Adelinë Ahmeti, Xheneta Murtezaj, Mediana Halili, Valon Fana, Shqipron Xhema, Behar Mustafa.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG