Ndërlidhjet

Militantët e bashkuar kundër armikut të përbashkët: gazetarëve


Gazetarët në Kunduz të Afganistanit i përkujtojnë kolegët e tyre që janë vrarë
Gazetarët në Kunduz të Afganistanit i përkujtojnë kolegët e tyre që janë vrarë

Militantët talibanë dhe ata të Shtetit Islamik (IS), ndoshta mund të jenë kundërshtarë të ashpër në fushëbetejë, por jashtë saj ata janë të bashkuar kundër armikut të përbashkët: mediave të Afganistanit.

Aktualisht, të dy këto grupe ekstremiste u janë kërcënuar dhe qëllimshëm i kanë sulmuar stacionet madhore radiotelevizive dhe punonjësit e tyre, në gjithë Afganistanin, duke ndërmarrë sulme vdekjeprurëse nga të cilat janë vrarë dhjetëra gazetarë dhe të punësuar në media.

Këto sulme e kanë shndërruar Afganistanin në njërin prej vendeve më të rrezikshme në botë për gazetarë dhe i ka detyruar kompanitë e mediave të përdorin masa të reja të sigurisë.

Megjithatë, nuk është e qartë nëse dhuna ka pasur ndikim në frikësimin e gazetarëve gjatë raportimit.

Ata dëshirojnë të përhapin frikë në mesin e gazetarëve në mënyrë që mediat të mos raportojnë për mizoritë e tyre”, thotë Najib Sharifi, udhëheqës i Komitetit të sigurisë së gazetarëve afganë (AJSC), dhe shton se “ata, po ashtu, dëshirojnë të zënë vend në tituj dhe ta tregojnë fuqinë dhe praninë”.

Mëtutje, ai thekson se “ata dëshirojnë t’i heshtin mediat, pasi ata i shohin mediat si kërcënim për strategjitë e tyre të propagandës”.

“Në shërbim të të pafeve”

Në janar të vitit 2016 një sulmues vetëvrasës e ka sulmuar një minibus dhe i ka vrarë shtatë punëtorë të Televizionit Tolo, që është rrjeti më i madh privat në Afganistan. Ky ishte ndoshta sulmi i profilit më të lartë kundër organizatave mediale në këtë vend.

Këto vrasje u bënë disa muaj, pasi talibanët patën thënë se nuk e njohin Televizionin Tolo dhe rrjetin tjetër madhor televiziv, 1TV, si kompani të mediave, dhe i konsiderojnë ato “caqe ushtarake”.

Ky grup fundamentalist militant tha se kjo lëvizje ishte përgjigje direkte ndaj mbulimit të rrjeteve televizive komerciale, të okupimit të shkurtër të talibanëve në qytetin verior, Kunduz, në shtator të vitit 2015, e veçanërisht raportet e tyre se ka dyshime se luftëtarët e tyre i kanë dhunuar gratë në një bujtinë për femra.

Talibanët i kanë hedhur poshtë raportet, duke theksuar se ato ishin “shembull i propagandës të këtyre rrjeteve djallëzore”.

Forcat afgane shpëtojnë një punëtorë të televizionit shtetëror pasi disa militantë të armatosur sulmuan televizionin më 17 maj, 2017
Forcat afgane shpëtojnë një punëtorë të televizionit shtetëror pasi disa militantë të armatosur sulmuan televizionin më 17 maj, 2017

Më 7 nëntor, persona të armatosur e kanë vrarë një pjesëtar të sigurisë dhe kanë hapur zjarr ndaj personelit të Televizionit Shamshad, stacion privat në kryeqytetin Kabul, ndërsa përgjegjësinë për sulm e kanë marrë militantët e Shtetit Islamik.

Radio Stacioni i ndërlidhur me Shtetin Islamik, Zëri i Kalifatit, ka tërhequr vërejtjen se do të vazhdoj t’i sulmojë kompanitë mediale dhe gazetarët e tyre, nëse ata nuk e ndalin “shërbimin për të pafetë”, që është referencë për të jashtmit. Ky radiostacion tha se Shteti Islamik po “i monitoronte aksionet e gazetarëve dhe janë të vetëdijshëm për synimet dhe planet e tyre djallëzore”.

Vetëcensura

Propaganda është shtyllë e fuqishme në luftën e talibanëve dhe militantëve të IS-it”, thotë Najib Sharifi, dhe konstaton se “ata dëshirojnë që tregimet e tyre të dominojnë në ambientin politik dhe ushtarak”.

Në këtë kuadër “ata i shohin mediat si pengesë të madhe për avancimin e propagandës së tyre, kështu që ata e përdorin dhunën për t’i heshtur mediat dhe që ato të bëjnë vetëcensurë”, thekson Sharifi.

“Gazetarët janë të vetëdijshëm për implikimet e raportimit kritik. Media po kryen censurë me vetëdije dhe pavetëdije. Ndonjëherë, mediat nuk e publikojnë raportin për shkak se janë të frikësuar për implikimet e sigurisë”, thotë një gazetar i rrjetit BBC në Kabul, që ka folur në kushte të anonimitetit për shkak të shqetësimeve për siguri.

Lotfullah Najafizada, drejtor i Televizionit Tolo, thotë se sulmi i vitit 2016 nuk ka ndikuar në raportimin e këtij rrjeti të lajmeve, megjithqë ka tërhequr vëmendjen se personeli i tij duhet të jetë i alarmuar.

Sulmi dhe kërcënimet pas tij, sigurisht se e kanë ndryshuar mënyrën e operimit tonë nga perspektiva e sigurisë, por jo mënyrën se si ne raportojmë si kanal i pavarur i lajmeve”, tha Najafizada.

Steven Butler nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, me seli në Nju Jork, thotë se sulmet, po ashtu, janë të parapara për inspirimin e rekrutëve të rinjë.

Paraqitja publike e brutalitetit inspiron dhe frikëson”, thotë ai.

Prej se militantët e IS-it janë paraqitur në Afganistan në vitin 2015, ata në baza ditore janë përleshur në mënyrë vdekjeprurëse me talibanët në pjesën jugore dhe lindore të këtij vendi, megjithqë ata, po ashtu, kanë ndërmarrë operacione të përbashkëta kundër forcave të sigurisë afgane.

Shumë luftëtarë të IS-it në Afganistan janë ish-anëtarë të talibanëve afganë, talibanëve pakistanezë dhe Lëvizjes Islamike të Uzbekistanit.

Dhuna kundër gazetarëve

Zhvillimi i mediave në Afganistan shpeshherë është theksuar si njëra prej arritjeve më të mëdha gjatë dekadës së kaluar, pas disa viteve të ndalimit direkt nga ana e talibanëve të të gjitha formave të muzikës dhe televizionit dhe raportimit të pavarur të lajmeve.

Përkundër të arriturave, mediat e pavarura janë nën sulm të vazhdueshëm dhe presion, jo vetëm nga militantët por edhe nga liderët religjiozë, ish-komandantët luftarakë dhe ndonjëherë edhe nga vetë qeveria.

Monitoruesit ndërkombëtarë të mediave kanë thënë se militantët kanë shkaktuar një klimë të frikësimit për shkak se gazetarët janë në shënjestër të tyre për raportime që konsiderohen se nuk janë të favorshme për ta dhe e kanë dënuar pandëshkueshmërinë, të cilën e gëzojnë ata që janë përgjegjës për krime të dhunës kundër personelit të mediave në Afganistan.

Një i afërm i gazetarit Saeed Jawad Hossini, qan gjatë varrimit të gazetarit të vrarë më 21 janar, 2016
Një i afërm i gazetarit Saeed Jawad Hossini, qan gjatë varrimit të gazetarit të vrarë më 21 janar, 2016

Sipas një raporti të publikuar nga Komitetit i sigurisë së gazetarëve afganë në muajin korrik, në gjashtë muajt e parë të këtij viti, 10 gazetarë janë vrarë dhe janë raportuar 73 raste të dhunës, përfshirë “vrasje, rrahje, shkaktim të plagës dhe poshtërimit, frikësimit dhe burgosjes”. E gjithë kjo paraqet rritje për 35 % të dhunës kundër gazetarëve në krahasim me të njejtën periudhë të vitit të kaluar.

Ky komitet thotë se së paku 13 gazetarë dhe pjesëtarë të mediave janë vrarë në vitin 2016, ndërsa në vitin 2015, ky numër ishte katër.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG