Ndërlidhjet

Rikthehen shërbimet e komunikimit në Gazë


Një sulm izraelit në Rripin e Gazës më 18 nëntor 2023.
Një sulm izraelit në Rripin e Gazës më 18 nëntor 2023.

Shërbimet e internetit dhe të telefonisë janë rikthyer pjesërisht në Rripin e Gazës të shtunën, duke i dhënë fund një ndërprerje të telekomunikimit që detyroi Kombet e Bashkuara të ndalë dërgimin e ndihmës kritike humanitare për shkak të pamundësisë për të koordinuar autokolonat.

Në ndërkohë, një sulm ajror izraelit goditi një ndërtesë banimi në periferi të qytetit Han Junis duke vrarë të paktën 26 palestinezë, sipas mjekëve në spitalin ku u dërguan trupat e viktimave.

Izraeli në fillim të luftës me Hamasin – grup palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – u ka kërkuar civilëve të largohen nga veriu i Gazës, ku ushtria izraelite po kryen sulm tokësor, por Izraeli ka vazhduar bombardimet në zonën e evakuimit në jug, ku gjendet dhe Han Junisi.

Izraeli ka sinjalizuar për plane për zgjerimin e ofensivës së tij në jug, përderisa po vazhdon operacionet në veri, përfshirë në qytetin e Gazës ku trupat e tij po vazhdojnë bastisjet në spitalin më të madh të territorit, Shifa, për të gjetur dëshmi për një qendër komanduese të Hamasit që Izraeli pretendon se gjendet nën ndërtesë. Ky pretendim është hedhur poshtë nga Hamasi dhe stafi i spitalit.

Sulmi në Han Junis ndodhi në mëngjesin e së shtunës dhe goditi një kompleks banimi të ndërtuar viteve të fundit me fonde nga Katari. Përveç 26 personave të vrarë edhe 20 të tjerë janë plagosur, tha mjeku Nehad Taeima nga spitali Nasser.

Izraeli rrallë komenton për sulme individuale, duke thënë vetëm se shënjestron Hamasin dhe tenton që të shmangë dëmet në mesin e civilëve. Në shumë sulme ajrore izraelite, gratë dhe fëmijët kanë qenë në mesin e viktimave.

Lufta, që tani gjendet në javën e shtatë, u nxit pas sulmeve të 7 tetorit të Hamasit në jug të Izraelit, kur sulmuesit e këtij grupi vranë afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe rrëmbyen 240 të tjerë.

Mbi 11.400 palestinezë janë vrarë gjatë luftës, dy të tretat gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze. Edhe 2.700 të tjerë janë raportuar të zhdukur dhe besohet se janë të bllokuar nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara. Në shifrat për viktimat, të prezantuara nga autoritetet palestineze, nuk bëhet dallimi mes luftëtarëve të Hamasit dhe civilëve. Izraeli ka thënë se ka vrarë mijëra sulmues të Hamasit.

OKB-ja ka paralajmëruar se 2.3 milionë banorët e Gazës po mbesin pa furnizime kritike të ushqimit dhe ujit, por ende është e paqartë se kur agjencia e kësaj organizate për refugjatët palestinezë, e njohur si UNRWA, do të jetë në gjendje të rinisë dërgimin e ndihmave, që u ndërprenë të premten.

Ofruesit palestinezë të shërbimeve të telekomunikacionit thanë se ishin në gjendje të ristartonin gjeneratorët, pasi UNRWA dhuroi karburante. Dhënia fund e ndërprerjes së këtyre shërbimeve nënkupton se mund të dërgohen informacione nëpër botë nga enklava e rrethuar.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG